Rritet mbështetja në ndihmë të zonave të përmbytura

176

ERTV Live😊: Dalje për mediat pas mbledhjes së Komitetit e Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave, duke marrë shkas nga situata e rënduar në veri te vendit dhe kryesisht në Qarkun e Shkodrës

Posted by Senida Mesi on E mërkurë, 21 Mars 2018

TIRANË, 21 Mars/ATSH-Maela Marini/.- Qeveria do të angazhojë më tepër forca në terren si dhe do të rrisë mbështetjen me ndihma për banorët e zonave të përmbytura në Qarkun e Shkodrës.

Nën drejtimin e zv/kryeministres Senida Mesi u mblodh sot Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe të Krizave, ku u vendos për intensifikimin e përpjekjeve për të menaxhuar më së miri një situatë të tillë.

Duke bërë një bilanc të situatës, Mesi tha se, “që prej datës 5 mars të këtij viti vazhdon pa ndërprerë angazhimi në terren i gjithë strukturave të shtetit për përballimin e situatës së krijuar për shkak të kushteve të motit në qarkun Shkodër”. Lumenjtë e Drinit, Bunës dhe Liqeni i Shkodrës, sipas saj, kanë arritur prurje në nivele të larta prej disa ditësh, por përkeqësimi i situatës ka ndodhur në 19 mars 2018.

Mesi tha se, “rritja e niveleve në Basenin e Drinit, Bunës dhe Liqenit të Shkodrës ka shkaktuar edhe rritje të hartës së përmbytjeve”.

Sipërfaqja totale e përmbytur, sipas zv/kryeministres ka arritur në rreth 4600 ha. “Zonat e prekura janë njësia administrative Dajç, Ana e Malit, Bërdicë, Velipojë dhe rrethinat, zona e Livadheve në qytetin e Shkodrës dhe njësia administrative Gur i Zi”, tha Mesi.

Për përballimin e kësaj situate, që nga data 5 mars 2018, Forcat e Armatosura dhe Policia e Shtetit janë në terren duke ndihmuar çdo individ dhe çdo banor të zonës.

Sipas zv/kryeministres “janë të angazhuar rreth 373 forca të FA-së me 73 mjete të kalueshmërisë së lartë vetëm nga Ministria e Mbrojtjes, sikurse nga Policia e Shtetit janë mbi 150 forca të angazhuara në terren me mjetet e duhura të kalueshmërisë së lartë, si dhe të lëvizjes në ujë”.

Ministria e Mbrojtjes ka ndihmuar nëpërmjet Emergjencave Civile banorët e zonës me ushqim, ujë të pijshëm dhe 70 ton ushqime për bagëtinë.

Për menaxhimin e kësaj situate, Mesi theksoi rëndësinë e bashkërendimit të gjerë mes të gjitha ministrive, autoriteteve qendrore dhe autoriteteve vendore.

Ndaj, sipas saj, në mbledhjen e Komitetit të Koordinimit të Emergjencave Civile dhe të Krizave u diskutua mbi situatën dhe u përcaktuan kapacitetet njerëzore dhe logjistike në ndihmë të zonave të përmbytura, krahas atyre të alokuara tashmë në këto zona.

“Vendosëm të shtojmë furnizimet me bazë ushqimore për banorët, si dhe me ujë të pijshëm edhe pse në disa zona ujësjellësi funksionon, por ne rekomandojmë që në këtë periudhë të mos përdoret uji i ujësjellësit. Do të shtojmë forcat në terren me qëllim monitorimin e situatës dhe në asistencë të shtuar të banorëve dhe të gjithë zonës së prekur”, tha Mesi.

Në këtë fazë, sipas saj, po synohet përballimi i situatës me gjithë kapacitetet në dispozicion, ndërsa në fazën e rikuperimit është shumë e rëndësishme të vlerësohen dëmet nga njëra anë, dhe të merren masa për parandalimin e mëtejshëm të situatave të tilla.

Në përfundim, Mesi përgëzoi për përkushtimin të gjitha Forcat e Armatosura dhe strukturat e Emergjencave Civile që sipas saj, “kanë 2-3 javë që janë në funksion dhe në ndihmë të banorëve të zonave të përmbytura”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.