Meta: Të hapen negociatat e anëtarësimit me BE

Presidenti Meta takohet me Komitetin Politik dhe të Sigurisë së Këshillit të Bashkimit Evropian

TIRANE, 21 Mars /ATSH/-Presidenti i Republikës ripërsëriti kërkesën unanime në emër të të gjithë aktorëve institucionalë dhe politikë në vend drejtuar vendeve anëtare të Bashkimit Europian për hapjen sa më parë të negociatave të anëtarësimit, duke siguruar për vazhdimin e reformave në 5 prioritetet kyçe.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim Komitetin e Çështjeve Politike dhe të Sigurisë së Këshillit të BE-së, të përbërë nga ambasadorë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Presidenti Meta theksoi se politika e jashtme dhe e sigurisë së Shqipërisë është plotësisht e harmonizuar me Bashkimin Evropian, dhe se e konsideron shumë të rëndësishëm bashkëpunimin operacional dhe strategjik ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në përballjen me sfidat dhe rreziqet e sigurisë.

Presidenti Meta vuri në dukje rolin konstruktiv të Shqipërisë në kuadër të bashkëpunimit rajonal dy dhe shumëpalësh, duke çmuar se ky është një kontribut i drejtpërdrejtë për të ardhmen evropiane të vendit dhe të të gjithë rajonit./e.xh//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.