Greenback 2.0, projekt për uljen e kostove të remitancave

186

TIRANE, 21 Mars /ATSH/- Në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u prezantua Projekti Greenback 2.0 për Shqipërinë, që synon t’i bëj remitancat nga emigrantët më efiçiente për qytetarët dhe ekonominë.

Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Elisabeta Gjoni, theksoi kontributin e remitancave në rritjen e konsumit në ekonominë e vendit. Këto flukse vlerësohet të financojnë mbi 1/3 e familjeve, të cilat i kanalizojnë këto të ardhura për të mira të domosdoshme, edukim, shëndetësi dhe në një masë më të vogël në investime, tha ajo.

Në kuadër të potencialit që paraqesin remitancat, Zëvendësguvernatorja Gjoni theksoi nevojën e një pjesëmarrjeje më aktive të sistemit bankar dhe atij financiar në këtë fushë, duke e parë si një mundësi për zgjerimin e aktivitetit të tyre.

“Duke rritur kulturën financiare dhe përmirësuar shërbimet financiare, si për dërguesit ashtu edhe për marrësit, ky program do të kontribuojë në rritjen e efiçencë, funksionimin e tregut financiar dhe ekonomisë së Shqipërisë” tha Ambasadori i Qeverisë Zvicerane, Christof Graf gjatë fjalës së tij. “Një sukses i plotë, megjithatë mund të arrihet vetëm nëse institucionet dhe autoritetet përkatëse të vendit, përfshihen, së bashku me institucionet lokale” – shtoi Ambasadori Graf.

Ndërsa, Johanna Jaeger, përfaqësuese e Bankës Botërore, nënvizoi nevojën e reduktimit të kostove për këto dërgesa të emigrantëve në Shqipëri, të cilat vlerësohet të jenë të ndjeshme për dërguesit. Në këtë kuadër, implementimi i projektit Greenback në Shqipëri shikohet si tejet i rëndësishëm.

Specialistja e lartë e sektorit financiar në Bankën Botërore,  Maria Do Ceu Da Silva Pereira, gjatë prezantimit të saj, vuri në dukje se remitancat janë një aspekt tejet i rëndësishëm i sistemeve të pagesave dhe se Banka Botërore përmes programit PRP fokusohet në diagnostikimin e tregjeve ku ky projekt është aktiv. Kjo realizohet përmes vendosjes së standardeve ndërkombëtare për matjen e efiçencës së këtyre sistemeve dhe asistencës teknike në nivel ligjor, infrastrukturor dhe edukimit financiar të klientëve përfundimtarë, ku përfshihet edhe projekti Greenback 2.0. Ky projekt ka si synim përfundimtar uljen e kostove të remitancave dhe formalizimin e këtij shërbimi në mënyrë që këto të ardhura të kthehen në një vlerë të shtuar për ekonominë familjare dhe kombëtare.

Edlira Dashi, specialiste e edukimit financiar në Bankën Botërore, paraqiti shkurtimisht të dhënat paraprake nga një seri fokus grupesh me emigrantë nga Berati që ishin kthyer në vendlindje gjatë festave të fundvitit. Këto fokus grupe synonin të zbulonin më shumë rreth qasjes që emigrantët shqiptarë kanë kundrejt kanaleve të remitancave, informacionin për shërbimet financiare, përdorimin e shërbimeve dhe produkteve të ndryshme dhe sfidat që ata hasin për të dërguar para në shtëpi. Ky studim ishte vetëm hapi i parë i një serie aktivitetesh hulumtuese që do të kryhen në kuadrin e projektit Greenback 2.0 dhe që do të informojnë hapat e mëtejshëm në lidhje me edukimin financiar të dërguesve dhe marrësve të remitancave në Shqipëri. e.xh//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.