STUDIM – Reduktimi i emetimeve të CO2 mund të shpëtojë miliona jetë

SAN FRANÇISKO, 20 mars /ATSH-AA/ – Sipas raportit të një grupi shkencëtarësh, reduktimi i emetimit të dioksidit të karbonit (CO2) mund të sjellë parandalimin e rreth 153 milionë vdekjeve në nivel global, të cilat shkaktohen si pasojë e ajrit të ndotur, njoftoi agjencia turke e lajmeve “Anadolu Agency”.

Studimi i publikuar nga një ekip shkencëtarësh, që ishte financuar nga NASA, thekson se në secilin kontinent të banueshëm mund të evitohen miliona raste të vdekjeve të hershme, nëse qeveritë përshpejtojnë procesin e reduktimit të emetimit të CO2-shit në atmosferë.

Përfitimet më të mëdha nga një përshpejtim i tillë do t’i kenë Afrika dhe Azia.

Shkencëtarët kanë llogaritur numrin e vdekjeve deri në vitin 2100, duke bërë krahasimin mes vendimit të qeverive për të kufizuar rritjen e temperaturës globale me 2 gradë Celsius, në përpjekje për ta ulur në 1,5 gradë.

Marrëveshja e Parisit për Klimën e nënshkruar në vitin 2015 nga pothuajse të gjitha shtetet e botës, ka përdorur shifrat e lartpërmendura si njërin nga synimet aspiruese duke u zotuar që deri në fund të shekullit t’i japë fund emetimit të CO2-shit.

Arsyeja kryesore e qëllimit 2 gradë Celsius është bazuar në faktin se do të ketë koston më të ulët të shpenzimeve, ne veçanti për kombet më të varfra dhe shtetet në zhvillim.

Studimi më i ri thotë se reduktimi i emetimeve në një të ardhme të afrët mund të shpëtojë jetën e miliona banorëve të botës.

Studimi është financuar nga NASA, ndërsa ekipi ka qenë i përbërë nga shkencëtarët e Universitetit “Duke” në Karolinën e Veriut dhe po i njëjti studim është publikuar në revistën mujore “Nature Climate Change”./
/ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.