Tjetërsimi i pronave, “Arrest shtëpie” për kryebashkiakun Frrokaj

TIRANË, 19 Mars/ATSH/ – Gjykata e Lezhës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për kryetarin e Bashkisë së këtij qyteti, Fran Frrokaj, dhe 9 zyrtarët e tjerë të bashkisë dhe hipotekave, ndërsa 2 të akuzuar janë lënë në “Arrest me burg”.

Sipas këtij vendimi, Frrokaj nuk do të largohet nga banesa e tij në lagjen “Besëlidhja” dhe nuk do të komunikojë me persona të tjerë, me përjashtim të atyre që bashkëjetojnë me të.

Gjykata vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës së prokurorisë. Verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg” të dhënë ndaj të arrestuarit Fran Frrokaj me vendimin Nr.86, datë 15.03.2018 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe zëvendësimin e kësaj mase, me atë të “Arrest në shtëpi” me mbikëqyrje policore, duke urdheruar te dyshuarin Fran Frrokaj, te mos largohet nga banesa e tij në qytetin e Lezhës, lagjja “Besëlidhja”, deklaroi kryetari i trupit gjykues.

Po ashtu, Gjykata vendosi edhe për zbatimin e masës së sigurisë “Arrest shtëpie” për 9 zyrtarë të tjerë, ndërsa ka lënë në “Arrest me burg” dy zyrtarët Adenis Haxhia, 29 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, me detyrë jurist pranë Bashkisë Lezhë, si dhe Enkelejd Zefi, 28 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, me detyrë specialist hartograf pranë ZVRPP Lezhë.

Frrokaj së bashku me 11 zyrtarë u arrestuan më 16 mars 2018 pasi u akuzuan se në bashkëpunim me njëri-tjetrin duke abuzuar me detyrën dhe falsifikuar dokumente, kanë tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, tek vendi i quajtur “Rana e Hedhun”.

Sipas policisë, kjo sipërfaqe është shndërruar me dokumente të falsifikuara nga tokë shtetërore në bregdet, në tokë arë dhe pemëtore. Më pas është regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Lezhë (ZRPP), duke përfituar padrejtësisht në interes të tyre dhe personave të tjerë.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim dhe punohet për kapjen e 11 shtetasve, me detyra në ZVRPP, në ish-Komunën Shëngjin, apo përfitues tokash në mënyrë të paligjshme.

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.