Nis punën komisioni hetimor për çështjen “Tahiri”

394

TIRANË, 19 Mars /ATSH- I. Vata/ – Ka nisur punën sot Komisionit Hetimor për çështjen “Tahiri” i ngritur me kërkesë të opozitës dhe do të zgjasë gjashtë muaj deri më 5 shtator.

Kryetari i Komisionit hetimor, Edi Paloka tha se “qëllimi i këtij komisioni është kontrolli i ligjshmërisë administrative të institucioneve shtetërore në parandalimin dhe goditjen e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, përfshirë dhe çështjen që akuzohet ish- ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri”.

Po ashtu, Paloka tha se komisioni ka të drejtë të hetojë dhe të bëjë transparencë të plotë të çdo çështje që ka të bëjë me objektit të tij, bazuar në parimet kushtetuese.

“Komisioni hetimor, bashkë me raportin përfundimtar do i paraqes Kuvendit të Shqipërisë për seancë plenare, rekomandimet  në lidhje me nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, ndryshime apo miratime ligjore”, këto janë pikat të paraqitura në rend të ditës, tha Paloka.

Më tej, Paloka shtoi se sot mund të diskutojmë në parim mbi rregullores si dhe do të zgjedhim sekretarin e komisionit, ku u zgjidhet, Klotilda Bushkaj (Ferati).

Po ashtu, në komision për arsye të informacioneve sekret që mundet të ketë gjatë hetimit, u kërkuar nga kryetari i komisionit Paloka që anëtarët e komisionit të pajisen me certifikatën e sigurisë.

Komisioni vazhdoi me debate përsa i përket caktimit të datës tjetër, pasi opozita kërkonte një datë më të afërt se një javë siç propozuan anëtarët e mazhorancës, ndërsa deputeti i PD Enkelejd Alibej, tha se është shumë një javë.

Në fjalën e saj, deputetja e PS, Ermonela Felaj tha se ligji për rregulloren është i vjetër dhe ka 16 vite që e kemi atë ligj dhe nuk merret me detaje se si do të veprojë komisioni në momente të caktuara.

“Besoj që koha një javë, do na mjaftonte të vinim me një draft të dakordësuar që ta kalonim javën tjetër”, tha Felaj.

Ndërsa, deputeti demokrat Flamur Noka tha se “anëtarët e komisionit janë prezent, qëllimi është caktuar me kërkesë të deputetëve të opozitë, detyrat e komisionit po ashtu dhe ne do ti miratojmë formalisht, sepse janë të miratuar në ligjin për komisionet hetimor”.

“Tani rregullorja është përgjithësisht standarde, ligji mund të ketë nevojë për korrigjim por nuk kemi ne kompetencat as për t’a shqyrtuar ligjin për rregulloren. Unë propozoj që të vendosim që sot ditën e përcaktuar çdo javë kur të nis punë Komisioni Hetimor ”, tha Noka.

Mbledhja e  parë e komisionit hetimor përfundoi për të vijuar javë e ardhshme. /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.