Kosova mund të krenohet me gratë e suksesshme

141

PRISHTINË, 19 Mars/ATSH/.- “Kosova mund të krenohet me gratë e suksesshme që ka dhe me nivelin e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies që ato kanë treguar”, theksoi sot kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Në fjalën e tij, në hapjen e “Javës së gruas 2018”, të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), me mbështetjen e USAID-it, Veseli tha se “ne kemi dhënë shembuj se si institucionet kryesore të vendit u janë besuar për udhëheqje grave: Presidencë, Gjykatë Kushtetuese, Komision Qendror të Zgjedhjeve, Zëvendëskryeministre, Ministre, Ambasadore”.

“Natyrisht, kjo nuk është e mjaftueshme. Por, janë shenja dhe zhvillime pozitive që duhet të vazhdojnë dhe përfaqësimi i grave në vendim-marrje duhet të rritet në përputhje me legjislacionin që vetë e kemi miratuar”, nënvizoi ai.

Duke falënderuar grupin e grave deputete në Kuvendin e Kosovës, Veseli u shpreh se “me përkushtimin dhe angazhimin e tyre të drejtpërdrejtë, ky grup, nga viti në vit, po shënon progres në avancimin e axhendës gjinore në shoqërinë kosovare”.

Sipas tij, në dekadën e dytë, na presin sfida të reja, përgjegjësi të mëdha dhe objektiva të qartë në interes të vendit dhe qytetarëve.

“Para së gjithash, është objektivi i zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit cilësor të jetës së qytetarëve tanë. Barazia gjinore përbën njërin nga kushtet themelore në arritjen e këtij objektivi”, shtoi Veseli.

Ai tha se “në Kuvendin e Kosovës, janë miratuar, e miratohen, vazhdimisht ligje shumë të mira. Formalisht këto ligje i plotësojnë standardet më të larta demokratike e liberale. Por, problem themelor mbetet fakti se ligjet i kemi të mira, por zbatimi i tyre çalon në shumë segmente. Ka një neglizhencë serioze në zbatimin e ligjeve që adresojnë barazinë gjinore”.

“Por, ne duhet ta fitojmë këtë betejë, siç i kemi fituar të gjitha betejat tjera të lirisë e të pavarësisë”, përfundoi Veseli./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.