BRUKSEL – Johnson: Absurd mohimi i sulmit kundër ish-agjentit rus

BRUKSEL, 19 mars /ATSH-DPA/ – Mohimi i përfshirjes së Rusisë në helmimin e ish-agjentit të dyfishtë rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij, me agjentin nervor Novichok, po bëhet gjithnjë e më absurd, deklaroi ministri i Jashtëm britanik, Boris Johnson.

“Një herë thonë se nuk e kanë prodhuar kurrë helmin Novichok dhe më pas se e kanë prodhuar ata. Por, të gjitha rezervat janë shkatërruar, megjithëse disa prej tyre janë transferuar në mënyrë misterioze në Suedi apo në Republikën Çeke, në Sllovaki, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo edhe në Britaninë e Madhe”, deklaroi Johnson.

“Unë mendoj se ajo çfarë duhet të kuptojnë njerëzit është se kjo është një strategji klasike ruse e përpjekjes për të fshehur gjilpërën e së vërtetës në kashtën e gënjeshtrës dhe errësirës”, shtoi ai.

Johnson, i cili mori pjesë në një takim të ministrave të Jashtëm të BE-së, në Bruksel, theksoi se rusët nuk mund të mashtronin më askënd.

“Vështirë se mund të gjendet një vend rreth tryezës këtu në Bruksel, që nuk është prekur gjatë viteve të fundit nga një sjellje e keqe apo përçarëse e Rusisë”, deklaroi Johnson.//a.i/ a.jor.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.