Hapen rrugët ndihmëse tek Komuna e Parisit në Tiranë

TIRANË, 18 Mars /ATSH- I. Vata/ – Përfundojnë rrugët hyrëse dhe lidhëse të Unazës së Madhe tek Komuna e Parisit, deklaroi sot Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri ndërsa tha se brenda vitit nis puna në aksin Shkolla Teknologjike-Sheshi Shqiponja.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri shoqëruar nga drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro ishin sot në Unazën e Madhe të Tiranës ku u hap segmenti i rrugëve lidhëse e ndihmëse nga kryqëzimi me rrugën Komuna e Parisit.

Ministri Gjiknuri tha se tanimë këto rrugë lidhëse bashkë me Unazën janë me standardet më të larta ndërsa pritet të ketë lehtësim të trafikut në këtë zonë.

“Një rrugë edhe nga ana estetike shumë e bukur por edhe e mirëorganizuar. Ne ishim këtu për të bërë me dije publikun që përfundimisht u plotësua dhe ky segment që do të sjellë një lehtësim të madh të trafikut në zonën e Liqenit pasi ishte krijuar një problem tek diga me tendencën për tu futur në unazë. Tanimë kjo është një tjetër rrugë shfryrëse e cila lehtëson jashtëzakonisht trafikun”, theksoi Gjiknuri.

Ndërsa drejtori i ARRSH, Afrim Qendro u shpreh se  “Ka mbaruar ndërtimi i të gjithë rrugëve lidhëse dhe ndihmëse që lidhin komunitetin e Kodrës së Diellit dhe Komunës së Parisit me ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës. Gjithashtu, ka përfunduar ndërtimi i kolektorit të shkarkimit të ujërave të bardha dhe të zeza nga Kodra e Diellit duke e lidhur me lumin e Lanës. Nuk do të kemi më probleme me përmbytjet dhe ruajmë investimin e bërë në lidhje me Unazën bashkë me gjithë këtë pjesë. Nga ana tjetër, është bërë plotësimi i të gjithë elementëve të sinjalistikës dhe elementëve mbrojtës për sigurinë e këmbësorëve por edhe për sigurinë e gjithë investimit të kryer”.

“Autoriteti Rrugor ka bërë dhe investimin e rrugës që të çon deri tek Lana dhe kjo zonë përfundimisht ka marrë zgjidhjen. Në Komunën e Parisit dhe në zonën e Selitës është ndërtuar edhe mbikalimi i këmbësorëve i cili siguron kalimin e qytetarëve dhe lidhjen e zonës së shkollës ashtu sikurse qendrës shëndetësore”, sqaroi Qendro./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.