Për herë të parë produktet shtazore drejt BE, flet drejtoresha e Derregullimit në MBZHR

567

TIRANE, 17 Mars /ATSH/ – Futja e tregut blegtoral në rrugën e standardeve të sigurisë ushqimore, i ka hapur rrugë për herë të parë pas viteve ’90 eksportit të dhenve dhe dhive dhe mishit të tyre, nga Shqipëria drejt Serbisë.

Luljeta Çuko, drejtoreshë e Derregullimit, Liçencimit dhe Monitorimit në ministrinë e Bujqësisë, e cilësoi një hap historik hapja e eksporteve të të imtave në tregun Serb, me impakt të drejtëpërdrejtë në zhvillimin e sektorit blegtoral, biznesin bujqësor dhe ekonominë e vendit.

Në një prononcim për ATSH-në, Çuko tha se, “ky hap i rëndësishëm ka ardhur si rezultat i përmirësimit të cilësisë dhe sigurisë ushqimore në të gjithë zinxhirin e vlerës ushqimore për këtë sektor”.

Por gjithashtu theksoi ajo, një faktor tjetër është edhe vullneti politik i të dy vendeve që i hapi rrugë negocimit në nivel të lartë teknik ekspertësh, për të arritur marrëveshjen për hapjen e eksportit të imtave “made in Albania”, në tregun serb.

Hapja e eksportit të të imtave është një arritje jo vetën në aspektin e përmirësimit të sigurisë ushqimore sipas standardeve të BE-së, por është edhe një arritje për biznesin që i hapet një treg i ri dhe një rrugë e re zhvillimi.

“Tashmë kemi arritur të ngremë një grup negociatorësh në nivel ekspertësh dhe po punojmë për t’i hapur rrugë eksportit për herë të parë edhe të produkteve të tjera shtazore “made in Albania”, duke sjellë një realitet të ri të munguar prej vitesh në vendin tonë, atë të eksportit të prodhimeve shtazore shqiptare në tregjet e huaja”, tha Çuko.

Si një nga ekspertet më të njohura të këtë fushë, Çuko shpjegon se për arritjen e standardeve të sigurisë ushqimore sipas BE-së, në prodhimet shqiptare, ministria e Bujqësisë në bashkëpunim me institucionet e linjës, po punojnë në dy drejtime; për përmbushjen e standardeve në tregun e brendshëm dhe për atë të tregut të huaj, duke i ardhur në ndihmë biznesit për tregje të reja.

“Hapja e eksporteve është arritje për biznesin dhe ekonominë në tërësi”, u shpreh ajo.

Prioritet i qeverisë, standardet e sigurisë ushqimore 

Nevoja urgjente për formalizimin e tregut të mishit në vend, tërësisht i pakontrolluar dhe jashtë standardeve të higjienës dhe sigurisë ushqimore, e nxiti ministrinë e Bujqësisë të ndërmarrë aksionin për kontrollin e thertoreve të mishit dhe futjen e këtij tregu në rrugën e formalizimit të plotë dhe sigurisë ushqimore.

Sot gjashtë muaj nga nisja e këtij aksioni, në të gjithë vendin biznesi i këtij sektori ka hyrë në rrugën e ligjshmërisë së standardeve të cilësinë së tregtisë së mishit, duke garantuar konsumatorët për sigurinë e produkteve shtazore që përdorin.

Siguria ushqimore sipas standardeve të BE-së është edhe një kusht i patjetërsueshëm për hapjen e negociatave që aspiron Shqipëria në BE, por gjithashtu kusht për çeljen e eksporteve blegtorale në tregjet e huaja, produkte kaq të rëndësishme për ekonominë tonë. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.