IKMT bllokon punimet e hotelit 7 katësh në breg të detit

TIRANE, 17 Mars/ATSH/- Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit bllokoi sot punimet e një hoteli 7 katësh në Durrës.

Objekti, sipas një njoftimi për shtyp të IKMT-së, po ndërtohej ndërmjet rrugës kombëtare pranë “Urës së Dajlanit” dhe bregut të detit, me pronar shtetasin N.D.

Në vendimin e saj, IKMT ka zbatuar një urdhër të Prokurorisë së Durrësit, ndërkohë që ndërtimi i objektit shkel ligjshmërinë për ndërtimin në zona me rëndësi kombëtare dhe në bregdet.

IKMT shprehet e vendosur, se në bashkëpunim me të gjitha institucionet e tjera të shtetit shqiptar, do të vijojë të zbatojë ligjin dhe detyrimet e saj në mbrojtje të territorit shqiptar./a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.