Veliaj në Lozanë, projekte të përbashkëta në fushën e kulturës dhe të sportit

232

TIRANË, 16 Mars/ATSH/-Pas këndeve të lodrave në çdo lagje, Tirana do të nisë një fushatë tjetër për shtimin e terreneve sportive.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një vizitë dy ditore në Lozanë, qendra botërore e komitetit olimpik dhe 55 federatave botërore të sportit, me ftesë të kryebashkiakut Grégoire Junod, me qëllim rritjen e shkëmbimit të eksperiencave dhe mundësive të bashkëpunimit midis dy qyteteve.

Gjatë takimit me homologun e tij në Lozanë, kryebashkiaku Veliaj tha se Tirana synon të kthehet në një qendër rajonale të Ballkanit. “Duam ta kthejmë Tiranën në një qendër rajonale të Ballkanit, ku shumë prej korporatave dhe institucioneve ndërkombëtare të sjellin selitë e tyre. Më vjen mirë që kemi hedhur disa hapa konkrete në bashkëpunimin me qytetin e Lozanës sepse duam të mësojmë nga më të mirët, sidomos në fushën e aktiviteteve sportive”, tha Veliaj.

Dy homologët diskutuan rreth bashkëpunimit për të hartuar një projekt të sportit në komunitet dhe për të inkurajuar shumë prej të rinjve në Tiranë, që në vend të kafeneve dhe të lojërave të fatit, të merren me aktivitete sportive.

Kryetari i Bashkisë së Lozanës, Grégoire Junod, u shpreh i gatshëm për një bashkëpunim konkret me Tiranën, jo vetëm në fushën sportive, por edhe në çështjet kulturore. “Jam i kënaqur dhe është një nder që mikprita Kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Tirana është një qytet i bukur, e kam vizituar edhe më parë. Për Luzanën është një kënaqësi për të rritur bashkëpunimin me vendin dhe qytetin tuaj,  sepse shqiptarët janë një nga komunitetet më të rëndësishme, jo vetëm në Zvicër, por edhe këtu në Luzanë. Mezi pres të zhvillojmë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin në sport dhe në çështjet kulturore”, tha Junod.

Dy homologët ranë diskutuan edhe mundësinë e organizimit të aktiviteteve të përbashkëta kulturore mes dy qyteteve në të ardhmen. “Do të vazhdojmë me një paketë shkëmbimesh kulturore, ku gjykoj se kemi mjaftueshëm artistë të talentuar që do ishin një kënaqësi, jo vetëm për qytetarët e Lozanës, por edhe shumë prej bashkëqytetarëve tanë që jetojnë këtu. Besoj se Tirana ka çfarë të mësojë nga Lozana për t’u kthyer në një qendër rajonale evropiane, por edhe botërore, të organizatave ndërkombëtare”, nënvizoi Veliaj.

Ndërkaq, gjatë vizitës së tij në Lozanë, kreu i Bashkisë së Tiranës zhvilloi edhe një takim me komunitetin shqiptar që punon dhe jeton atje, si dhe me përfaqësues të politikës dhe të komunitetit të biznesit. Veliaj bëri një prezantim të punës së bërë për transformimin e Tiranës dhe të projekteve për zhvillimin e turizmit. Ai u shpreh i kënaqur për integrimin e komunitetit shqiptar dhe ruajtjen e kulturës dhe traditave./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.