Mesi: Reformat po kthejnë besimin e qytetarëve

714

TIRANË, 16 Mars /ATSH- I. Vata/ – Qeveria ka ndërmarrë reformat transformuese për të rritur besimin e qytetarëve në qeverisje, si reforma në drejtësi dhe Vetting-u, operacioni “Forca e Ligjit” dhe Vetting-u në radhët e policisë, si dhe reforma e shërbimeve publike dhe administrative, deklaroi sot zëvendëskryeministrja Senida Mesi, gjatë prezantimit të sondazhit “Besimi në Qeverisje 2017” nga IDM dhe PNUD.

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (PNUD) prezantuan sot gjetjet e sondazhit “Besimi në Qeverisje 2017”, i zhvilluar në nëntor 2017.

Në fjalën e saj, Mesi theksoi se përpjekjet e qeverisë shqiptare lidhur me reformat transformuese për të rritur besimin e qytetarëve në qeverisje janë reforma në drejtësi dhe Vetting-u, operacioni “Forca e Ligjit” dhe Vetting-u në radhët e policisë, si dhe reforma e shërbimeve publike dhe administrative.

Po ashtu zevendëskryeministrja Mesi, duke u ndalur veçanërisht te reforma e shërbimeve administrative, nënvizoi faktin se ajo po krijon një kulturë të re pune: atë të shërbimit dhe kujdesit ndaj qytetarit, si dhe ndaj klientit përmes përmirësimit të cilësisë së shërbimeve të integruara e me një ndalesë/online.

“Duke rindërtuar një sistem të ri vlerash, po shërojmë sëmundjen e cinizmit dhe mosbesimit ndaj shtetit. Shqiptarët kanë nevojë dhe meritojnë shërbime cilësore, të modernizuara dhe dixhitale që ua lehtëson jetën dhe punën dhe kjo rrit besimin tek shërbimet dhe administrata publike”, u shpreh ajo.

Sondazhi i Opinionit 2017 “Besimi në Qeverisje” është zhvilluar për të pestin vit radhazi. Ai shqyrton perceptimin publik në çështje si: besimi në institucionet publike, transparenca dhe llogaridhënia institucionale, korrupsioni, niveli i përfshirjes qytetare në politikëbërje dhe vendimmarrje, kënaqshmëria me ofrimin e shërbimeve publike dhe zbatimi i ligjeve dhe politikave për mbrojtjen nga diskriminimi.

Mbledhja e të dhënave është kryer gjatë periudhës 17-30 Nëntor 2017. Një total prej 1648 qytetarësh janë intervistuar në 61 bashkitë e Shqipërisë. Sondazhi i Opinionit mbështetet nga PNUD Shqipëri përmes projektit “Mbështetje për Inovacionin kundër Korrupsionit: Ngritja e një Modeli Shërbimesh me në Qendër Qytetarin në Shqipëri”. /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.