FOTO/ Verilindja, mundësi befasuese për zhvillimin e turizmit

515

TIRANE, 16 Mars/ATSH/- Verilindja e Shqipërisë ofron mundësi befasuese për zhvillimin e turizmit.

Tridhjetë kilometra nga qyteti i Kukësit në kufirin ndarës të tre shteteve, Shishtaveci ofron një arkitekturë natyrore.

Pozita gjeografike, kushtet klimatike, hidrografia, flora dhe fauna mjaft e pasur janë elemente mjaft të rëndësishme, që këtij rajoni me potencial të lartë turistik, i krijojnë mundësi për zhvillimin e turizmit sportiv, rural, ekoturizmit, turizmit të gjuetisë etj. Klima është tipike, me reshje të mëdha bore, me shpati të përshtatshme për zhvillimin e sporteve dimërore.

Me shumë maje të larta, burime e rrjedha lumenjsh me gryka e kanione, pyje të larta dhe me një faunë të shumëllojshme që krijojnë një peizazh mjaft të bukur dhe atraktiv për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit. Bjeshkët e Shishtavecit gjatë stinës së dimrit, janë shumë të përshtatshme për zhvillimin e sportit të skive.

Në Gurin e Mëngjesit, shpate të bardhë të paprekur mund të shndërrohen lehtësisht në vendpushime të suksesshme për aktivitete dimërore.

Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin dhe ambasadori austriak Johan Sattler eksploruan Shishtavecin dhe rrethinat e tij.

Për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm turistik, BE-ja ka investuar në rrugën ndërmjet Shishtavecit dhe Kosovës, e cila do të rrisë lëvizshmërinë në zonën ndërkufitare.

BE-ja ka investuar edhe në rehabilitimin e vetë Shishtavecit, duke rindërtuar rrugët me pllaka guri natyror – duke përmirësuar aftësinë atraktive turistike të fshatit dhe jetën e përditshme të banorëve të tij.

/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.