Varfëria nuk luftohet me ndihmë ekonomike, por me punësim

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155650925596523/

TIRANË, 15 Mars/ATSH-Maela Marini/.- Varfëria nuk luftohet me ndihmë ekonomike por me punësim, pasi skemat e zgjatura të ndihmës ekonomike janë parakusht për të rënë edhe më shumë në varfëri.

Kështu deklaroi të enjten në Kuvend, zv/kryeministrja Senida Mesi, gjatë debatit për skemën e re të ndihmës ekonomike.

“Ndihma ekonomike nuk mund t’u jepet më atyre që kanë miq e kushërinj në parti a në bashki, por do t’u jepet vetëm më të varfërve dhe ndërkohë punësimi dhe vetëm punësimi është alternativa që do t’i ofrohet kujtdo që nuk e përfiton më ndihmën, apo që është fizikisht i aftë për punë”, tha Mesi.

Ajo akuzoi opozitën se po përdor varfërinë për qëllime politike. “Ka një dallim themelor mes shqetësimit tonë për këto familje dhe atij të opozitës. Ne synojmë gjithëpërfshirjen e tyre në jetën ekonomike të vendit, kemi reforma për të nxjerrë nga kjo situatë familjet në nevojë”, tha Mesi.

Sipas saj, “ka qenë kjo opozitë që na ka lënë sot një shtet me pabarazi sociale, mungesë ligjesh dhe të së drejtës, dhe sot baltos Shqipërinë kudo”.

Punësimi mbetet qëllimi kryesor i kësaj qeverie, tha Mesi, duke shtuar se “po punojmë për t’i riaftësuar këta persona në tregun e punës, ndërsa opozita e instrumentalizon situatën”.

“E turpshme të bëhet politikë me varfërinë. Qasja jonë është aftësim dhe punësim për shtresat në nevojë, për ato që kanë mundësi të jenë nesër fuqi pune. Ndihma ekonomike është një instrument i përkohshëm dhe nuk e zgjidh problemin në një periudhë afatgjatë”, shtoi Mesi.

Zv/kryeministrja shtoi se “ne duam zgjidhje afatgjatë dhe drejtësi sociale, por duke i dhënë ndihmës ekonomike peshën që i takon”.

“Opozita po vazhdon të baltosë Shqipërinë, ndërsa ne po punojmë për të thithur investime të huaja, për të bërë reforma dhe luftuar korrupsionin”, tha Mesi.

Lidhja punësim – varfëri, sipas saj, ka lidhje të zhdrejtë. “Sa më shumë rritet punësimi, aq më tepër ulet varfëria. Rritja e ekonomisë forcon tregun e punës dhe shanset për uljen e mëtejshme të varfërisë, por për këtë duhen më shumë reforma”, tha Mesi.

Ajo akuzoi opozitën se e ktheu varfërinë në institucion.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.