SPORT – Shqipëria ngjitet një shkallë më lart në renditjen e FIFA-s

ZYRIH, 15 mars /ATSH-AA/ – Federata Botërore e Futbollit (FIFA) ka publikuar të enjten renditjen më të fundit të përfaqësueseve të shteteve, ku të përzgjedhurit e trajnerit të Shqipërisë, Christian Panucci, janë ngjitur një vend më lart duke zënë vendin e 58-të në botë.

Në renditjen e FIFA-s, Shqipëria ka 557 pikë ose katër më shumë nga renditja paraprake duke u ngjitur me një pozicion më lart, ndërkohë që përfaqësuesja e Maqedonisë me 441 pikë ose pesë më pak nga renditja paraprake, ka rënë me një pozicion duke zënë vendin e 75-të.

Por, edhe Kosova është ngjitur një vend më lart në klasifikimin e FIFA-s, duke grumbulluar 97 pikë dhe duke u renditur në vendin e 176-të në tabelë.

Përsa i përket rajonit, kombëtarja më e mirë është Kroacia, e cila e 15-ta me 1 053 pikë, Serbia e 34-ta, Bosnje-Hercegovina e 41-ta, Mali i Zi i 46-ti dhe Sllovenija e 62-ta.

Gjermania vazhdon të udhëheqë në renditjen e FIFA-s me 1 609 pikë, e ndjekur nga Brazili, Portugalia, Argjentina, Belgjika, Polonia, Spanja, Zvicra, Franca dhe Kili./ G.S a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.