Skema e re e ndihmës ekonomike, sistemi i pikëzimit përjashton çdo abuzim

TIRANË, 15 Mars/ ATSH/ – Ndihma ekonomike është vetëm për më të varfërit, ndërsa për këdo që del nga kjo skemë, ndihma e qeverisë duhet të jetë punësimi.

Ministrja e Mbrojtjes së Sipërmarrjes, Sonila Qato u shpreh të enjten në Kuvend se, kjo skemë synon të zbusë varfërinë në vend dhe shkon drejtpërdrejtë për këtë kategori.

“10063 është numri i familjeve që kanë përfituar për herë të parë nga kjo skemë, që janë përjashtuar padrejtësisht nga skema e mëparshme e ndihmës ekonomike. Ndërsa skema e re e pikëzimit ka arritur të shmangë abuzimet duke nxjerrë nga ndihma ekonomike 19700 familje që kishin përfituar padrejtësisht”, tha Qato.

Nëse opozita akuzon për mungesë transparence në ndarjen e fondeve të ndihmës ekonomike, kjo është lehtësisht e verifikueshme, pasi sot sistemi i pikëzimit të skemës së re përjashton çdo abuzim, shpjegoi ajo.

Lidhur me zbatimin e kësaj skeme, ministrja theksoi se, publiku duhet të njihet me faktin se skema e mëparshme mundësonte ndihmë ekonomike të copëzuar për 15 mijë familje me vlera shumë të ulëta.

Ndërsa sot, tha ajo, kjo skemë e re mbështet familjet në nevojë dhe jo për të shtuar numrin e përfituesve për efekte elektorale.

Fondi dedikuar bashkive për këtë skemë është një tjetër risi, që i gjendet pranë asaj kategorie të përjashtuar sistemi i pikëzimit. Ndërsa mbështetja për kualifikimin e fëmijëve të familjeve në nevojë, është një hap i sigurt drejt punësimit, sqaroi ministrja.

Kjo qeveri vijoi Qato, është shquar për reforma në mbështetje të zhvillimit dhe shqiptarët kanë nevojë për një shtet të së drejtës./e.xh//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.