Demarkacioni, Haradinaj: Kemi ruajtur tërësinë territoriale

PRISHTINE, 15 MARS /ATSH/ – Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj pak para se të hyjë në seancë foli për gazetarët në hollin e Kuvendit.

Ai njoftoi se seanca ku pikë e rendit të ditës është Demarkacioni me Malin e Zi do të mbahet të martën që vjen(20 mars).

Ky vendim sipas Haradinaj është marr pas konsultimeve me të gjitha partitë politike në vend.

“Sipas të gjitha gjasave pas konsultave me grupet parlamentare, me partitë politike për të martën në orën 14 do të shkojmë në seancën për demarkacion”, ka thënë Haradinaj.

I pyetur nëse i kanë votat që duhen për të kaluar ratifikimi i marrëveshjes, Haradinaj beson se të zgjedhurit e popullit do ta përkrahin demarkacionin që nënkupton edhe heqjen e izolimit për qytetarët e Kosovës.

Megjithëse këtë proces e konsideron jo të lehtë, Haradinaj tha se këtë po e bën për shkak se nuk mund ta shoh popullin e tij të izoluar.

“Të gjithë deputetët e Kosovës janë të Kosovës dhe jam i bindur që me votën e tyre të lirë do të përkrahin në këtë rast zgjidhjen e marrëveshjes së kufirit, tërësinë territoriale në këtë rast dhe zhbllokimin ose heqjen e izolimit për qytetarët e vendit. T’iu them të drejtën për mua nuk ka qenë një proces i lehtë, nuk është një proces i lehtë, por nuk mundem ta shoh popullin tim të bllokuar dhe të izoluar siç po ndodh deri tani.  Duke pasur parasysh se megjithatë e kemi ruajtur tërësinë territorial dhe mundësinë e korrigjimit për Çakorrin dhe Kullën”,  tha kryeministri.

Haradinaj nuk tha konkretisht nëse i kanë të gjitha votat duke shtuar se këtë do ta shohin të martën.

Kuvendi ka mbajtur deri më tani tri seanca për Demarkacionin por që dështuan pasi nuk u  arrit që t’i kenë votat e mjaftueshme për ta votuar atë.

Kundër demarkacionit deri më tani zyrtarisht janë Lista Serbe, deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje si dhe deputetët që tashmë kanë formuar Grup të vetin parlamentar./kosovapress/ e.malaj/  /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.