Rama: Fund problemeve me pronësinë e institucioneve të kultit

TIRANË, 14 Mars/ATSH/ – Edhe për Kishën Katolike Shën Piu X në Elbasan merr fund problemi i pronësinë mbi tokën, që rrezikoi deri edhe rrënimin e saj.

Certifikata e pronësisë i është dorëzuar sot Kishës nga vetë Kryeministri Edi Rama. Kisha Shën Piu X nuk është i vetmi institucion i kultit që vuan nga kjo problematikë, për të cilën qeveria shqiptare ka nisur një proces për ta zgjidhur përfundimisht.

“Më vjen shumë mirë që sot ne i japim fund një kalvari shumë të gjatë, një kalvari absurd dhe të dhimbshëm për komunitetin katolik dhe për Kishën Katolike shqiptare, e cila, pasi kaloi përgjatë flakëve të ferrit të diktaturës, u desh të ndeshej për çerekshekulli me flakët e ferrit të administratës. Praktikisht, siç edhe e dini, u kërcënua seriozisht në ekzistencën e saj këtu në Elbasan dhe më vjen mirë që, përfundimisht, përgjithmonë, nga sot Kisha do disponojë pronën e saj të regjistruar dhe të patundur dhe të patundshme më,” u shpreh Kryeministri.

Rama shtoi se qeveria është e angazhuar t’i japë fund problemeve me pronësinë të gjithë institucioneve të kultit në vend. “Ne, për fat të keq, trashëguam një situatë apokaliptike për pronën e komuniteteve fetare dhe prej disa vitesh jemi angazhuar në dhënien e titujve të pronësisë, duke legalizuar godina, kisha, apo xhami të ndërtuara, të rindërtuara nga hiri prej besimtarëve, prej komuniteteve, prej individëve bujarë dhe në të njëjtën kohë duke bërë regjistrimin vullnetar të pronësisë së tyre. Ka ende për të bërë, por besoj që tanimë jemi më afër fundit sesa fillimit shumë të ngatërruar të kësaj historie,” deklaroi Rama.

Nunci Apostolik në Shqipëri, Charles John Brown i ka shprehur Kryeministrit Edi Rama mirënjohjen e veçantë për mbështetjen edhe në emër të Papa Françeskut.

“Pikë së pari do doja t’ju thoja se sa mirënjohëse është Kisha Katolike në Elbasan për gjithçka që Kryeministri ka bërë për të na ndihmuar me çështjen tonë të pronësisë këtu. Në emër të Papa Françeskut, e falenderoj Kryeministrin për ndërhyrjen dhe mbështetjen e tij. Sot është një ditë e bukur për të qenë këtu në Elbasan, ndërsa festojmë ditën e parë të verës dhe ju falenderoj edhe njëherë për gjithçka keni bërë. Faleminderit Kryeministër!”, deklaroi nunci apostolik Charles John Brown.

Kryeministri Rama uroi ditën e Verës: “Unë jam shumë i kënaqur që urimin e Ditës së Verës ta bëj këtu, duke iu drejtuar të gjithëve ju, vajzave, djemve, grave dhe burrave që janë mbledhur në këtë oborr, ku kam dhe kënaqësinë e veçantë të jem edhe me mikun tonë, nuncin,” u shpreh ndër të tjera Kryeministri Rama.

Përtej mbështetjes shpirtërore që gjejnë besimtarët katolikë në ambientet e Kishës Katolike Shën Piu X, aktiviteti social i ushtruar në të përfshin një gamë të gjerë veprimtarish, në interes të gjithë komunitetit të qytetit të Elbasanit dhe të rrethinave, duke pasur në qendër të vëmendjes kategoritë më të marxhinalizuara të shoqërisë siç janë fëmijët, familjet në nevojë dhe personat me aftësi të kufizuara./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.