Energjia me panele diellore, Qato: Do të mbështesim sipërmarrësit

Elbasan, 14 Mars/ATSH/ – Qeveria shqiptare do të përkrahë sipërmarrësit të cilët investojnë në fushën e energjisë nëpërmjet paneleve diellore, një teknologji që ka nisur tashmë të vendoset edhe në Shqipëri.

Kështu ka deklaruar ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato e cila ka parë nga afër këtë veprimtari në një nga zonat e ish Kombinatit Metalurgjik.

Ministria Qato është ndalur tek fabrika e prodhimit të plastikës, e cila ka shënuar një hap të rëndësishëm dhe përparimtar sa i takon investimeve në fushën e energjisë me panele diellore. Fabrika në fjalë ka investuar ne vendosjen e impianteve të paneleve diellore në një territor prej 1500 m2, duke prodhuar kështu energji të rinovueshme për aktivitetin e saj.

Pasi është njohur nga administratorët e kompanisë ‘Solares & AL Gjeoterm’ rreth instalimit të paneleve nga ana teknike, Ministria Qato e ka vënë theksin tek rëndësia e këtij investimi nga ana e sipërmarrësve ‘Solares & AL Gjeoterm’, ndërsa ka shtuar se “është një nga rastet e para gjatë njohjes time në këtë veprimtari që po kryen kjo sipërmarrje siç është energjia me panele diellore. Ndaj këto janë formula që qeveria do të fillojë t’i përkrahë sa më shumë, jo vetëm në mbrojtje të mjedisit, por edhe sipërmarrësve për të reduktuar sa më shumë kosto të tyre efektive në prodhimin që ato kryejnë”.

Më tej, Qato premtoi edhe një marrëveshje me OSHEE-në, me qëllim që kjo ndërmarrje të kthehet në një model dhe energjia me panele diellore të aplikohet edhe tek sipërmarrje të tjera në vend. Ky implementim i ‘Solares & AL Gjeoterm’ është më i madhi i aplikuar në sektorin privat, dhe ka mjaft rëndësi për faktin se vjen në një moment ku dhe qeveria i ka dhënë rëndësi nxitjes dhe investimeve në energjinë e rinovueshme.

Vizita e Ministres përkon me mbledhjen e qeverisë në Elbasan në kuadër të festës pagane të Ditës së Verës. M.Sadiku/z.t//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.