Elbasani, qendra e festimeve të Ditës së Verës

TIRANË, 14 Mars/ATSH/ – Atmosfera festive në qytetin e Elbasanit mbushi bulevardin kryesor që në orët e para të mëngjesit.

Qindra vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe trojet shqipfolëse zgjodhën të festojnë ardhjen e stinës së ngrohtë nga qyteti i luleve. Bashkia e Elbasanit kishte përgatitur një sërë aktivitetesh të cilat mbajtën qytetarët në shesh deri në orët e  mesditës, kur të gjithë iu drejtuan më pas vatrave familjare për drekën tradicionale të Ditës së Verës.

Në mëngjes rrugët e qytetit u mbushën edhe me vizitorë, të cilët shijuan aktivitetet që nisën me garën e çiklizmit. Më pas të gjithë nxënësit e shkollave 9-vjeçare bënë paradën e përvitshme të karnavaleve.

Që prej ditës së djeshme, në Elbasan është hapur edhe Panairi i Zejeve, i cili prezanton veshjet tradicionale nga artizanët, të cilët vijnë nga qytete të ndryshme të vendit, si dhe Panairi i Librit. Ndërkohë që po vijojnë ende aktivitetet si për fëmijët, ashtu dhe të rriturit.

Karnavale, demonstrime sportive dhe njerëz që lëviznin nga njëri cep i qytetit në cepin tjetër. Ballokumet zunë vitrinat më të mëdha.

Ndërkohë, Nata e Verës ka mbajtur në sheshin kryesor të Elbasanit deri në orët e para të mëngjesit mijëra qytetarë, të cilët kanë ndjekur koncertin festiv të mundësuar nga Bashkia e Elbasanit. Kulmi është shënuar me hedhjen e fishekzjarreve që ndriçuan qytetin e Elbasanit në këtë ditë feste.

Në qytetin e Elbasanit festa e vërtetë e verës është në momentin e ndërrimit të stinëve, në mesnatën e datës 13 mars. Kjo festë me rrënjë të thella pagane është kthyer në një ditë të rëndësishme për këtë qytet që Ditën e Verës e shikon edhe si një mundësi të mirë për të rritur turizmin dhe të ardhurat. Elbasani është vendi ku kjo festë është trashëguar me breza, por edhe qendra e festimeve nga ku më vonë u vendos që Dita e Verës të bëhej festë zyrtare (në vitin 2004).

Elbasani nuk ishte pritësi i vetëm i atyre që shkuan për t’u argëtuar nga Shqipëria e nga Kosova, por edhe qyteti ku u zhvillua edhe mbledhja e radhës e qeverisë. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi përveçse ka festuar, ka zhvilluar edhe një sërë takimesh në Elbasan.

“Një ditë me takime dhe festime në ‘kryeqytetin’ e Ditës së Verës”, shkruan Klosi në faqen e tij zyrtare./e.caushi/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.