Zona e llixhave të Elbasanit destinacion i turizmit kurativ

294

TIRANE, 13 Mars/ATSH/- Fshati Tregani, i cili shtrihet në Elbasan do të jetë pjesë e programit kombëtar të rilindjes rurale, që ndryshe njihet projekti i “100 fshatrave”.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrat e kabinetit qeveritar dhe deputetë të zonës, evidentuan disa nga vlerat që ky fshat ka, për sa i përket burimeve natyrore, shfrytëzimi i të cilave do të çonte në zhvillimin ekonomik të kësaj zone.

Balla: Zona e llixhave të Elbasanit në një prej destinacioneve më të rëndësishme të turizmit kurativ

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, deputet i zonës, Taulant Balla tha në fjalën e tij lartësia mbi nivelin e detit dhe peizazhi atraktiv turistik e bëjnë këtë zonë një destinacion turistik shumë të frekuentuar.

“Zona e llixhave të Elbasanit do të përfshihet në një projekt tërësor planifikimi për t’a shndërruar atë në një prej destinacioneve më të rëndësishme të turizmit kurativ në Shqipëria. Aktualisht kjo zonë vizitohet nga 35-40 mijë turistë në vit”, deklaroi ai.

Në Elbasan në projektin e 100 fshatrave janë përfshirë edhe Gjinari dhe Shushica.

Peleshi : Komuniteti i banorëve të bashkëpunojë për të hartuar plane të përbashkëta

Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi njohu banorët e zonës së Treganit me skemën kombëtare të mbështetjes në bujqësi, si një mundësi për ta për të zhvilluar agroturizmin.

“Përmes programit 100 fshatrat ndërtojmë një model, ku të ardhurat e kufizuara të fermës bujqësore për shkak të sipërfaqeve të vogla që shkojnë deri në një hektarë, kompensohen me disa aktivitete të vogla, si agroturizmi”, tha Peleshi.

Por, ministri Peleshi theksoi se për të përfituar nga mbështetja e qeverisë, është e rëndësishme që komuniteti i banorëve të bashkëpunojë, për të hartuar plane të përbashkëta, që nga festat lokale e deri te masterplanet e zhvillimit të prespektivës.
Vetëm kështu, theksoi ai, mund të ketë sukses.

“Ftesa jonë është për t’u ulur së bashku me Bashkinë për të shkruar një plan, i cili do të duhet të financohet nga burime të ndryshme”, shtoi ai.

Ministri i informoi ata, se katër ministritë e përfshira në këtë projekt, ajo e Turizmit, Kulturës, Infrastrukturës dhe Bujqësisë kanë hapur një dritare financimi për projektet.
Ai po ashtu theksoi se edhe një numër i madh donatorësh duan të jenë pjesë e këtij programi.

Kumbaro: Projekti “100 fshatrat” zhvillon atraksionet kulturore

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro tha se pjesë e rëndësishme e programit ‘100 fshatrat është elementi kulturor dhe, sipas saj, Elbasani është një zonë e pasur.

“Brenda kësaj harte ku kombinohen bashkë pasuritë bujqësore me trashëgiminë kulturore e kthejnë këtë zonë në një mundësi për t’u vizituar dhe për ta bërë të plotë qëndrimin turistik.

Ajo apeloi për ndërtimin e modeleve të suksesshme për të bërë që turistë të huaj, por edhe vendas të rikthehen.

Këtu ministrja Kumbaro veçoi rastin e një qytetari francez i cili kishte investuar në një hotel, duke ndërthurur artin e kuzhinës franceze me atë shqiptare.

Klosi apel banorëve të angazhohen për pastrimin e lumenjve nga mbetjet

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi theksoi se projekti i 100 fshatrave ka si objekt kryesor diversifikimin e ofertës turistike.

“Ky projekt rrit mundësinë për komunitetin për të ndërtuar biznese në sektorin e turizmit”, tha Klosi, ndërsa shtoi se kushti për të përfituar nga mbështetja e qeverisë është lidhja e njësisë me ferma që ofrojnë produkte bio, si dhe ndërtimi i njësive akomoduese që duhet të kenë nga nga 6-30 dhoma.

Klosi ngriti edhe dy problematike që kanë të bëjnë me dëmtimin e pyjeve dhe mbetjet urbane.

Lidhur me pyjet, ministri Klosi informoi se qeveria është angazhuar duke bërë rigjenerimin e pyjeve me pemë që prodhojnë dhe sjellin përfitime ekonomike, duke transformuar pasurinë natyrore dhe në pasuri ekonomike.

Ndërsa për çështjen e mbetjeve, ministri kërkoi edhe angazhimin e komunitetit dhe biznesit, krahas bashkisë dhe strukturave të tjera shtetërore. “Është e papranueshme ndotja që i është bërë lumit nga mbetjet”, deklaroi ai

Gjiknuri: Investime për përmirësimin e furnizimit me energji
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri tha se qeveria është e angazhuar për të adresuar nevojat që ka fshati për të marrë të vlerë turistike që i nevojitet.

Po kalojmë nga rilindja urbane tek rilindja e fshatit”, tha ai duke shtuar se do të kryhen investime për përmirësimin e furnizimit me energji të zonave pasi me shtimin e numrit të turistëve do të shtohet edhe konsumi i energjisë.Po ashtu, ai bëri të ditur se do të adresohen edhe çështje të tjera që lidhen me kanalizimet apo mbetjet./a.gjonaj. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.