Prokuroria e Durrësit nis hetimin ndaj drejtorit, dyshohet shpërdorim detyre

234

TIRANË, 13 Mars /ATSH/ – Prokuroria e Durrësit ka ndërmarrë një hetim për Drejtorin e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Durrës, Adhurim Qehajaj, i dyshuar për veprën penale shpërdorim detyre.

Në një njoftim për mediat nga Prokuroria e Përgjithshme, bëhet e ditur se “Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës miratoi kërkesën e Prokurorisë së Durrësit për të vendosur caktim të masës së sigurimit me karakter ndalues ‘Pezullim i ushtrimit të detyrës’ së Drejtorit të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Durrës, për shtetasin Adhurim Qehajaj, të dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ (ndryshuar me ligjin nr. 9686, datë 26.02.2007) parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal”.

Po ashtu, thuhet se “Kërkesa e mësipërme vjen pas hetimit mbi dhënien e një lejeje zhvillimi dhe ndërtimi nga Bashkia Durrës për objektin në pronësi të shtetasit Ndriçim Domi, që ndodhet ndërmjet rrugës Kombëtare tek “Ura e Dajlanit” dhe bregut të detit. Prokuroria arriti në përfundimin se leja e dhënë nga Bashkia Durrës është në kundërshtim me kriteret e ligjit nr. 107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” i ndryshuar, dhe VKM nr. 408, datë 13.05.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit” i ndryshuar.

“Objekti me sipërfaqe 1516.8 m2 ndodhet brenda kufirit kufizues të përcaktuar si Zonë me Rëndësi Kombëtare, në pjesën e Brezit Bregdetar”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu se “Gjithashtu Gjykata në Durrës vendosi caktimin e masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive në lidhje me objektin dhe truallin duke urdhëruar: Pezullimin e kryerjes së mëtejshme të punimeve të ndërtimit në objektin “Hotel 5-6 kate dhe 1 kat nëntokë” në pronësi të shtetasit Ndriçim Domi, lagje nr. 13, Plazh, Durrës. Pezullimi i kryerjes së transaksioneve në pasurisë në pronësi të shtetasit Ndriçim Domi”.

“Prokuroria saktësoi se leja e zhvillimit dhe ndërtimit është dhënë për një zonë të përcaktuar si të Rëndësisë Kombëtare dhe është Këshilli Kombëtar i Territorit, organ kompetent përgjegjës për të miratuar lejet e zhvillimit dhe të ndërtimit për zona të rëndësisë kombëtare”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme./r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.