Elbasan – Nis pastrimi i sistemit të kanaleve kulluese të Llixhave

549

TIRANË, 13 Mars /ATSH/ – Ka nisur pastrimi i kanalit të Llixhave në Elbasan, falë bashkëpunimit me Drejtorinë e Bordit të Kullimit, deklaroi sot për ATSH, prefekti i qarkut Elbasan Maksim Malaj.

Malaj tha se bllokimi i rrjetit të kanaleve të Llixhave ishte dhe shkaku për përmbytjen në këtë zonë, muaj më parë.

Po ashtu, Malaj tha se puna ka nisur prej tre ditësh dhe do të vazhdojë. “Pastrimi ka nisur në Kanalin e Kullimi 1, pikërisht në Jagodinë, ku ndodhi dhe përmbytja pak kohë më parë”, tha ai.

Më tej prefekti shtoi se “Sistemi i kanaleve të Llixhave është i ndarë në: Kanalin Kullues 1, që është me gjatësi 1.6 km, Kanalin Kullues 2, me gjatësi 2.3 km, Kanalin Kullues 3, 3.43 km, pra një gjatësi e konsiderueshme që duhen pastruar”.

“Ka 20 vite që nuk pastrohen këto kanale që janë arteriet kryesore të kullimit të ujit, por tashmë ka nisur puna për t’i mbajtur ato të pastruara, si një domosdoshmëri për zonën”, theksoi Malaj./r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.