Brenda 30 prillit deklarimi i të ardhurave mbi 2 milionë lekë në vit për individët

TIRANE,13 Mars/ATSH/- Çdo individ rezident në Republikën e Shqipërisë, i cili përfiton të ardhura me burim në Republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj, në shumën mbi 2 milionë lekë në vit është i detyruar të paraqesë deklaratën individuale vjetore të të ardhurave. Afati për dorëzim është data 30 prill.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve informon se deklarata individuale vjetore e të ardhurave është e detyrueshme të paraqitet gjithashtu edhe nga individët jo rezidentë, të cilët realizojnë të ardhura të tatueshme, me burim në vendin tonë në shumën mbi 2 milionë lekë.

Individët janë të detyruar të deklarojnë të ardhurat bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit, nga dividenti, qiraja, fitimi kapital nga shitja e pasurisë së palujtshme në pronësi të deklaruesit apo nga investimet në tituj apo nga pasuri të palujtshme, nga interesat bankare, nga lotaria apo lojëra të tjera të fatit, nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuritë e tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike, fitimi kapital nga dhurimi, etj.

Tatimet këshillojnë që çdo individ, i cili është i detyruar të paraqesë deklaratën duhet të bëjë kujdesin e duhur për plotësimin e saktë të të dhënave të deklaratës dhe sidomos për llogaritjen e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, në rastet kur individi përfiton dy apo më shumë paga në një muaj nga punëdhënës të ndryshëm.

Plotësimi i pasaktë i deklaratës të shkaktojë vendosjen e penaliteteve për individin deklarues.

Deklarimi i të ardhurave, kujton DPT, përveç se është detyrim ligjor, i çdo individi subjekt i deklarimit, është edhe një garanci më shumë, lidhur me justifikimin e pasurisë së tij./a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.