Rama: Të dënojmë grabitqarët në zyrat e shtetit, zëri juaj i fortë sa i një deputeti

293

Programi i zhvillimit 2021 dhe shqiperiaqeduam.al Platforma jonë e Bashkëqeverisjes, ku dëgjohet zëri i çdo qytetari dhe zgjidhet çdo ankesë e ligjshme apo kërkesë e mundshme.

TIRANË, 13 Mars/A. Fortuzi/ – Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me qytetarët e Elbasanit, u bëri thirrje të aplikojnë në platformën e bashkëqeverisjes, si një mënyrë jo vetëm për zgjidhur problemet me administratën, por për të qenë pjesë e qeverisjes sikur të ishe një deputet. Rama në fjalën e tij u shpreh se janë 5 mijë ankesa të regjistruara në këtë fazë fillestare. Ai tha se problemet janë të mbartura në kohë dhe janë duke u zgjidhur. “Ju nevojiten vetëm tre minuta për t’u regjistruar, asnjë më shumë dhe brenda 10 ditëve merrni përgjigje”, tha Rama.

“Para se sa të them disa fjalë në lidhje me platformën dhe pse është shumë e rëndësishme që të dimë se kush ka problem me administratën të mos dorëzohet, por të ndërhyjnë përmes platformës së bashkëqeverisjes.

“Çdo qytetar mund të jetë pjesë e qeverisjes dhe duke qenë pjesë e këtij portali, është si të jetë një deputet, dhe me problemin e tij kujdeset menjëherë ministri apo ministrja. Në këtë mënyrë, grabitqari, grabitësi, që është zyrtari që s’ka zgjidhur hallin e qytetarit dhe s’ka ku shkon më. Ne kështu zgjidhim problemin dhe çojmë çdo ditë mesazhin tek zyrat e shtetit poshtë, se çdo qytetar ka fuqi të pushojë nga puna. Pasi ajo që ndodh është se këtij zyrtari i vijon hetimi dhe nëse përgjegjësia ka qenë individuale atëherë ajo kalon tek ai, apo tek personat që së bashku me këtë grabitqar i kanë rënë në qafë qytetarit. Nuk humbet kohë, nuk ke nevojë të gjesh miq, apo të paguash lekë, tre minuta të duhen për t’u regjistruar në platformë dhe brenda 10 ditëve, madje dhe përpara, merr përgjigje. Dhe brenda afatit ligjor merr përgjigje. Por gjithsesi sqarohesh. Deri më sot që platforma ka nisur të jetë efektive dhe që është në fazën fillestare janë mbi 5 mijë raste. Ajo që është dramatike është fakti që rastet janë skandaloze, pasi këto raste janë me vite. Por janë zgjidhur me një kohë rekord”.

Balla: Janë investuar rreth 500 milionë euro në infrastrukturë në qarkun Elbasan

Kreu i Grupit Kuvendor të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se gjatë viteve të fundit janë investuar rreth 500 milionë euro në infrastrukturë. Sipas Ballës, objektiv mbetet kthimi i Metalurgjikut në një burim të ardhurash dhe zhvillimi për rajonin, teksa nënvizoi se turizmi dhe agrobujqësia janë baza kryesore. Balla tha se Llixhat janë një atraksion i jashtëzakonshëm në këtë rajon. Ai shtoi se trajtimi i mbetjeve është shembull në këtë qark, pasi po realizohet sipas standardeve europiane.

“Janë 40 mijë shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova që vijnë çdo vit në Llixhat e Elbasanit. Janë rreth 200 mijë euro që mbledh bashkia nga Llixhat e Elbasanit. Belshi është një zonë që ofron agrobujqësin dhe agroturizmin… Belshi nuk mund të ketë një zhvillim të qëndrueshëm nëse nuk investojmë tek një sistem efiçent i shpërndarjes së ujit të pijshëm. Në Gramsh, nuk e fsheh kënaqësinë, që Gramshi nuk është xhepi i harruar, por një kryqëzim i rëndësishëm aksesh rrugore dhe në funksion të zhvillimit të këtij rajonit. Përrenjasi është pjesë e korridorit të tetë dhe burimet e saj janë të rëndësishme. Bashkia e Librazhdit, një bashki e madhe ku është investuar shumë kohët e fundit. Në Bashkinë e Cërrikut kemi investuar më shumë krahasimisht me bashkitë e tjera. Në qarkun e Elbasanit janë investuar në vitet e fundit 500 milionë dollarë dhe kryesisht në infrastrukturë. Qëllimi kryesor është transformimi i Metalurgjikut në një burim zhvillimi të zonës, i trashëguar nga e kaluara, që na la një gërmadhë të madhe. Sigurisht kemi ende problem mjedisor, por Bashkia e Elbasanit është bashkia e parë që trajton mbetjet sipas standardeve europiane. Dhe ato që do të vijnë në Elbasan nesër, le të vijnë ta shohim impiantin e trajtimit të mbetjeve”, tha Balla.

Bushati: 6.7 milionë euro më pak shpenzojnë emigrantët shqiptarë në Greqi për vulat apostile

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati gjatë takimit që zhvilloi qeveria në Elbasan, tha se emigrantët shqiptarë në Greqi përmes heqjes së vulës apostile po kursejnë rreth 6.7 milionë euro, si dhe kohë të vyer.

“Ne kemi bërë disa përmirësime të dukshme se si ofrohen shërbimet në Itali dhe Greqi në veçanti, duke u përpjekur për t’i ardhur në ndihmë bashkatdhetarëve tanë, që jetojnë në Itali e Greqi. Me Italinë kemi bërë shumë progres, jo vetëm për shërbimet online, por dhe me disa shërbime, siç është dhe rasti i certifikatave që mund të merren pa ardhur në Shqipëri. Pala Greke nga krahu tjetër ka hequr vulën apostile, duke i kursyer bashkatdhetarëve tanë kohë dhe rreth 6 milionë euro në vit. Lehtësirat që ka me Italinë duam t’i bëjmë dhe në Greqi. Teknologjia na vjen në ndihmë, komunikimi online me emigrantët shqiptarë është i mundur përmes mediumeve të reja, si dhe mbi të gjitha me platformën Shqipëriaqëduam.al.

Gjonaj: Hipotekat dhe ALUIZNI më problematike

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, u shpreh se janë marrë masa ndaj personave të cilët janë evidentuar se kanë zvarritur problematika ndaj qytetarëve që duhet të ishin zgjidhur me kohë. “Adresoni problemet tuaja tek platforma jonë. ALUIZNI dhe zyra e Hipotekave janë më problematikët dhe po evidentohen të gjitha pikat ku janë krijuar probleme, duke marrë dhe ndëshkimet përkatëse personat që janë përgjegjës për këtë”, tha Gjonaj. Kryeministri Rama në këtë drejtim tha se ALUIZNI dhe Zyra e Hipotekave do bashkohen në një zyrë të vetme, që qytetarët të mos lëvizin sa andej këndej”, theksoi Rama.

Ahmetaj: Kemi lehtësuar procedurat për biznesin, por mbetet ende për të bërë

Platforma e qeverisjes “shqipëriaqëduam” tashmë është kthyer në një institucion dhe nuk është çudi që ministrat e nisin punën e tyre me zgjidhjen e halleve të qytetarëve që vijnë nëpërmjet kësaj platforme.

Kështu u shpreh ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i cili theksoi se shumë është bërë për ti ardhur në ndihmë biznesit me anë të lehtësimit të procedurave, por sipas tij  mbetet ende shumë punë për të bërë.

“Pas një përpjekje prej 5 muajsh, kjo iniciative e kryeministrit, platforma e qeverisjes është kthyer në një institucion.

Nuk është aspak e pazakontë që në përditshmërinë e punës së qeverisë të nisë me platformën e bashkëqeverisje.

Nuk është aspak e pazakontë, që ministri merr në tryezë të gjitha ankesat e qytetarëve dhe koordinohet me grupet dhe stafet për t’i dhënë drejtim.

Një përpjekje shumë e madhe është bërë për lehtësimin e procedurave, shumë mbetet për t’u bërë, pa tjetër që në terren ka dhe tejkalime të së drejtës administrative, i kemi parë, i kemi prekur, i kemi zgjidhur, apo i kemi referuar në apelim.

Unë dua të përmend dy elementë që kanë qenë iniciativa në funksion të thjeshtimit të procedurave dhe reflektimit të problemeve që ka sipërmarrja.

Një është së fundmi në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, është zgjidhur një hall i madh prej 27 vitesh.

Deri më sot sipërmarrja duhet të takonte doganierët dhe të negocionte vlerën që duhet të paguante në doganë, sot nëpërmjet vlerësimit të përqëndruar, pra digjitalizimit, thjeshtëzimit të kësaj procedure, vlerësimi doganor në importe bëhet nga një qendër në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, dhe sipërmarrja nuk ka asnjë kontakt në këtë aspekt me doganierin.

Në të njëjtën kohë, në Tatime janë 13 shërbime tashmë online që kanë zhdukur radhët në këtë departament, kanë shpëtuar për sipërmarrjen 56 vite në një vit dhe të kostuara janë miliona, miliona lekë, dollarë dhe euro.”

Spiropali: Bëhuni deputet virtual, të luftojmë bashkë parazitizmin
Deputetja Socialiste, Elisa Spiropali, Koordinatore Kombëtare e portalit Shqipëriaqëduam.al u shpreh se janë 6700 përdorues të këtij portal. Sipas saj, janë 5000 ankesa, 4000 prej të cilave kanë marrë përgjigje dhe janë 120 nisma qytetarësh. “Jeni pra deputetët virtual. Lista e ankesave tuaja i shkon në tryezë çdo ministri dhe diskutohet dhe në mbledhjen e qeverisë për problemet që duhen zgjidhur”, tha Spiropali.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.