“100 fshatrat”, model për zhvillimin e gjithë territorit

494

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155644349711523/

TIRANË, 13 Mars/ATSH-Maela Marini/ – Programi Kombëtar i “100 fshatrave” nuk kufizon zhvillimin rural në 100 fshatra, por shërben si model për të marrë nxitjet e duhura për zhvillimin e gjithë territorit të vendit.

Kështu deklaroi të martën, Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me banorë të Treganit në Elbasan, në kuadër të Programit Kombëtar të Rilindjes Rurale.

Ai shprehu bindjen se Elbasani ka humbur shumë kohë në të shkuarën, pasi ka një potencial zhvillimi shumë të madh si në bujqësi dhe në agro-turizëm. Ndaj, sipas Ramës, edhe numri i fshatrave të përzgjedhur është më i madh se në disa qarqe të tjera, pasi Elbasani ka trashëgimi natyrore, bukuri dhe tradita, që janë lehtësisht të tregtueshme në fushën e agro-turizmit.

“Duke krijuar disa modele pozitive që flasin vetë, ne do të hyjmë pastaj në një proces zinxhir, siç bëmë mandatin e parë me Rilindjen Urbane, një proces që vazhdon në gjithë territorin”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se zona e Llixhave në Elbasan është një pikë strategjike e lidhur drejtpërdrejtë me zhvillimin dhe ekonominë e gjithë kësaj zone.

Në këtë drejtim, Rama nxiti kalimin në një fazë tjetër, me një program të mirëfilltë investimesh dhe zhvillimi, që bazohet tek ambicia për të pasur një zonë kurative ekselence dhe jo një zonë kreative që thjesht mbijeton, duke lënguar mbi shtratin e së shkuarës.

“Aty njerëzit kanë bërë investime të rëndësishme sa i takon ekonomisë së tyre familjare. Kanë investuar kursimet e tyre sa kanë mundur e ditur, por është momenti për t’i dhënë një shtysë të fortë përpara dhe mbështetje të drejtpërdrejtë nga shteti, me koordinimin e bashkisë, për të pasur një ndryshim rrënjësor që do të sjellë efekte zinxhir në gjithë ekonominë e zonës”, tha Rama.

Duke rritur cilësinë në zonën e Llixhave dhe përmirësuar ndjeshëm shërbimin, sipas Kryeministrit, krijohen kushtet për të pasur një rritje të shumëfishtë të numrit të vizitorëve.

Sipas tij, “ka shumë për të bërë dhe një nga gjërat që duhet bërë seriozisht dhe që mund ta bëjë vetëm iniciativa private brenda fshatit, është zhvillimi i agro-turizmit”. Qeveria, shtoi Rama, vetëm mund ta mbështesë këtë nismë.

“Njëra anë e rritjes së ekonomisë, mirëqenies dhe të ardhurave për familje është bujqësia dhe blegtoria. Por shfrytëzimi i burimeve natyrore dhe i traditës, duke bërë investime në mikpritje dhe duke transformuar shtëpitë, apo duke ndërtuar infrastruktura mikpritjeje, bujtina të shoqëruara me fermën e prodhimit bujqësor e blegtoral të vendit, i kthen këto zona në pika atraktive që sjellin njerëz, kërkesë për konsum dhe para”, tha Rama.

Ndaj, sipas tij, është krijuar program i “100 fshatrave”, ku përfshihen 4 ministri, Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, që ka një zë të veçantë financiar, si dhe një fond prej 11 milionë euro nga BE për këto iniciativa”. Në çdo vend, vijoi Rama, mund të ngrihet një sukses në agroturizëm, nëse ka një projekt të mirë dhe organizim të mirë mes individit dhe shtetit.

Duke u ndalur te potenciali zhvillimor që ka zona e Llixhave, Rama theksoi se “nëse do ta kishte këtë pasuri natyrore, asnjë vend tjetër në rajon, nuk do e kishte katandisur në këtë gjendje si është sot”. “Kjo nuk është përgjegjësia e atyre që kanë investuar apo banorëve, por është përgjegjësi e kaq shumë viteve pa asnjë vizion dhe sens për të nxitur zhvillimin në këto zona, që ne duhet t’i kthejmë në pasuri për njerëzit”, tha ai.

Rama siguroi se qeveria do të bëjë maksimumin që t’i japi një shtysë të fortë zonave rurale. “Kush do të bëj sukses dhe para dhe do të jetojë në fshat, e ka plotësisht të mundur nëse ka kurajon dhe vullnetin për punë”, tha ai.

Kreu i Qeverisë theksoi se sot kemi në shërbim të fshatit, Fondin më të madh që ka qenë ndonjëherë në dispozicion. “Është mjaftueshëm për të bërë një hap të rëndësishëm para. Kemi po ashtu për herë të parë një fond nga BE, që s’e kemi pasur kurrë, dhe që rrezikohemi të mos e marrim dot nëse nuk bëjmë projektet e duhura”, theksoi Rama.

Kreu i Qeverisë theksoi domosdoshmërinë e vendosjes së bazave të një fshati që është sipërmarrës. “Këtë nuk e kemi parë në ndonjë ëndërr, por në çdo zonë ku njerëzit janë bërë bashkë, ku shqiptarët nga Tropoja deri në Konispol janë bërë bashkë dhe kanë aplikuar. Nuk na mungojnë aplikimet dhe ne do t’i stimulojmë të gjithë dhe do të bazohemi te ata që duan mbështetje për të bërë sukses dhe jo te ata që duan mbijetesën dhe duan mbështetje për t’u përpëlitur. Ne besojmë shumë se në çdo zonë do të japim përgjigjen e merituar”, shtoi Kryeministri.

Sipas tij, është bërë një punë jo e vogël për azhornimet e pronave dhe legalizimet dhe do të plotësojmë nevojat për infrastrukturë dhe akses në tregje.

Kryeministri vlerësoi sërisht impaktin pozitiv që do të ketë nga shkrirja e drejtorive të bujqësisë, të cilat i cilësoi “struktura të degraduara, inerci e së shkuarës, institucione komuniste pa komunizëm”.

“Kemi krijuar 4 agjenci shërbimi këshillimor dhe 4 agjenci rajonale të veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve dhe një nga këto do të jetë në qarkun e Elbasanit. Pastaj në të gjithë territorin do të kemi Agropikat”, shtoi Rama. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.