Kumbaro i plotëson dëshirën flautistit të talentuar

269

TIRANË, 12 Mars /ATSH/ Ministrja e Kulturës dhe deputetja, Mirela Kumbaro gjatë vizitës së saj në qarkun e Gjirokastrës është ndalur në shkollën artistike “Feim Ibrahimi”, ku i ka bërë një surprizë të bukur njërit prej nxënësve të talentuar të kësaj shkolle. Kumbaro i ka dhuruar një flaut të ri Anxhelos nga Përmeti, duke i plotësuar kështu dëshirën e tij. Dëshirë, që ishte bërë publike edhe në kronika televizive për shkak të kushteve të vështira ekonomike të Anxhelos, i cili flautin e ka objektin më të çmuar. “Në shkollën artistike “Feim Ibrahimi” # në Gjirokastër me Anxhelon nga Përmeti, flautistin e ri që sot u pajis me flaut të ri siç e dëshironte. #EdukimPërmesArtit”, shkruan Kumbaro në faqen e saj në Facebook, ku ka publikuar edhe disa foto. Nga shkolla artistike, Kumbaro tha se qëllimi i kësaj vizite është që të shkohet drejt një iniciative për të mbështetur me instrumente muzikore shkollën e vetme artistike të Gjirokastrës. Javën që vjen, kjo shkollë do të pajiset me instrumente të tjerë muzikorë, që u vijnë në ndihmë fëmijëve të talentuar që studiojnë aty. /m.z//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.