KQZ: Partitë politike të dorëzojnë raportin financiar, afati 31 mars

TIRANË, 12 Mars /ATSH/ – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ju kërkon partive politike raportin financiar për vitin 2017 dhe burimin e financimit, duke caktuar si afat përfundimtar datën 31 mars 2018. Në një deklaratë për mediat, KQZ bënë të dituar se “Në zbatim të nenit 15/2, neni 23, të ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000, “Për Partitë Politike”, i ndryshuar, si dhe akteve të miratuara nga KQZ, ju kujtojmë partive politike të regjistruara në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Tiranës, detyrimin për të depozituar raportet financiare vjetore të vitit 2017, brenda datës 31.03.2018″. Po ashtu, KQZ sqaron se “Sipas ligjit “Për Partitë Politike”, partitë politike, dorëzojnë raportet financiare vjetore një herë në vit pranë KQZ dhe duhet të jenë sipas rregullave për raportimin e financiar dhe duhet të përfshijnë informacion të hollësishëm për: a) burimet e financimit të partisë politike gjatë gjithë vitit kalendarik; b) shpenzimet e kryera nga partia politike c) subjektet e lidhura, drejtpërdrejtë ose tërthorazi, me partitë politike apo që kontrollohen prej tyre, të cilat deklarohen nga vetë partia politike;si edhe çdo informacion tjetër që parashikon ligji “Për partitë Politike” për aktivitetin financiar të partisë politike”.  “Raportet duhet të depozitohen nëpërmjet personave përgjegjës për financat e partive politike, sipas formateve të standardizuara për raportimet financiare vjetore të miratuara me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.