Financimi i PD-së nga lobe ruse, Gjylameti: Prokuroria të marrë Bashën në pyetje

TIRANË, 10 Mars/ATSH/.- “Prokuroria duhet të marrë në pyetje Lulëzim Bashën, sepse historia e lobimit nuk ka të bëjë thjesht dhe vetëm me mbi gjysëm milionë dollarë pastrim parash dhe financim i paligjshëm i partisë, po në radhë të parë me domosdoshmërinë për të ditur të vërtetën e ndërhyrjes apo jo nga jashtë”, deklaroi sot, drejtuesja e PS-së për qarkun e Tiranës, Blerina Gjylameti. Sipas saj “kjo do të ishte një krim politik i pashoq në dëm të interesit tonë kombëtar dhe kundër ëndrrës europiane të Shqipërisë”. “Lulzim Basha nuk do t’i shpëtojë këtij skandali duke u fshehur, ashtu siç i ka shpëtuar hetimeve për Rrugën e Kombit apo 21 janarin”, tha Gjylameti. Financimi i Partisë Demokratike nga lobet ruse, sipas saj, përbën një precedent tejet të rrezikshëm, që cënon drejtpërsëdrejti sigurinë kombëtare dhe aspiratat euro-atlantike të shtetasve shqiptarë. “Investigimi i të mirënjohurës “Mother Jones” nuk le vënd për diskutime dhe provat janë të pakundërshtueshme. Ndonëse PD klith “fake news”, dëshmitë e sjella nga kjo revistë mbajnë vulën e Departamentit Amerikan të Drejtësisë. “Bamirësit” rusë të PD-së janë të gjithë të identifikuar, me emër e me mbiemër. Transfertat e tyre nga kompani fantazmë janë gjithashtu të provuara katërcipërisht”, tha ajo. Gjylameti tha se “ishte një kompani e quajtur “Biniatta Trade”, e regjistruar në Skoci, por me dy pronarë rusë, ajo që derdhi në llogarinë e Nick Muzin, lobuesit të Bashës në Uashington, mbi gjysmë milionë dollarë. “Investigimi ka hedhur dritë edhe mbi “modus operandin” e këtyre “bamirësve”, që transferojnë shumat e tyre nga parajsat fiskale për t’i shpëtuar deklarimit dhe pyetjeve për origjinën e këtyre parave”, tha Gjylameti, duke përshëndetur Prokurorinë, që ka nisur hetimin e këtij skandali të jashtëzakoshëm. Ndërsa lajmi po bën xhiron e botës duke u ripublikuar në gazetat më të mëdha, përfshi emra si “New York Times”, Gjylameti tha se “përgjegjësi kryesor i këtij ‘flirti’ të papërgjegjshëm ende nuk ka dalë përpara publikut, që të shpjegojë se cilat janë lidhjet e tij të vërteta me këta biznesmenë rusë, pas të cilëve investigimi aludon se mund të fshihet vetë dora e Kremlinit”. “I vendosur përballë pyetjeve të ligjshme të publikut për këtë aferë, Basha ka zgjedhur rrugën e shantazhit, duke kërcënuar revistën amerikane me hedhje në gjyq për mashtrim.E megjithatë, koha kur me anë të presioneve dhe makinacioneve të saj një parti politike mund të pengonte të vërtetën për të dalë në shesh, ka përfunduar një herë e përgjithmonë”, tha Gjylameti. Sipas saj, Basha duhet të shpjegojë para publikut “nëse kishte pagesa të tjera përveç tyre, kontrata të tjera sponsorizimi që mbeten ende të fshehura dhe se kush janë njerëzit që kontaktuan me biznesmenët rusë në emër të Partisë Demokratike, apo ishte vetë Basha ai që negocioi me ta”. “Basha të përgjigjet nëse ka persona të tjerë brenda Partisë Demokratike që ishin në dijeni të këtyre operacioneve, apo Basha është personi i vetëm? Përveç parave të paguara nga këta rusë kaq bujarë tek lobistët që i morën ato para për të nxirë Shqipërinë, sa para të tjera me prejardhje ruse apo në rajonin lindor të Europës janë përdorur gjatë fushatës zgjedhore? Çfarë i premtoi Basha këtyre rusëve në këmbim të parave të tyre? Kush janë pronarët e “Biniatta Trade LP” dhe si ka mundësi që paguajnë Bashën, edhe pse ai thotë që nuk i njeh”, ishin pyetjet që shtroi Gjylameti, për kreun e PD-së. Ajo kërkoi që për zbardhjen e kësaj afere, Prokuroria të bashkëpunojë ngushtësisht me të gjitha agjencitë hetimore dhe ligjzbatuese të vendeve tona partnere. “Rruga e heshtjes, rruga e shpresës se çudia më e madhe tre ditë zgjat, është një rrugë qorre, e cila vetëm sa do të trashë edhe më shumë zullumet në të cilat Partia Demokratike është e përfshirë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.