Niko Teli, “mbreti” i peshëngritjes shqiptare në vitet 65-80

507

TIRANË, 5 Mars/ATSH-Arbi Fortuzi/ – Një hero i heshtur. Njeri që ka shkruar historinë me germa të arta, por që sot fatkeqësisht shumë pak persona arrijnë t’i lexojnë. Është peshëngritësi Niko Teli, që sot është në të 70-at, por që dikur ka qenë sportisti që nderoi ngjyrat e kombit tonë jo vetëm në arenën evropiane, por edhe në atë botërore.

Teli, është një nga ata persona që të mahnit me emrin e tij sa të butë, aq edhe të madhe. Ai e nisi karrierën e tij në shkollën “Skënderbej”, ku arriti të kishte rezultate të shkëlqyera. “Mora pjesë në spartakiadë dhe u nisa për të marrë pjesë në disiplinën e gjimnastikës, por përfundova tek peshëngritja. Nuk e kisha me qejf në fillim, por “mjeshtrat” e kohës insistuan. Kur preka peshën për herë të parë nuk mendoja se do t’ia dilja, por pas një jave punë arrita të dal i pari. Madje, theva dhe rekord”, tregon Teli.

Ai rrëfen edhe një të vërtetë të tijën, të cilën shumëkush e ka harruar. “Mbiemri im i vërtetë është Tele, por për shkak se mediat e asaj kohe shkruanin emrin tim Niko Teli, të gjithë tashmë me njohin me këtë mbiemër”, tregon ai duke buzëqeshur me nostalgji. Ai thotë se dashuria për peshëngritjen rritej sa më shumë shtohej pesha në shtizën e hekurt. “E kisha pak me frikë këtë punën e peshës, por pasi theva rekordin e parë nisa të dashurohesha, kuptova se me pedanën kisha një lidhje të pandashme”, shprehet Teli.

“Mbretëria” e Telit në pedanë nisi në vitin 1965, kur dhe shënoi rekordet e para personale dhe u shpall kampion i vendit. Sistemi një vit më tej e la jashtë kampionatit, pasi e caktoi me shërbim në Moravë, por në vitin 1967  ai u rikthye. Kësaj radhe jo më për të sfiduar të tjerët, pasi forca e Telit ishte e pakrahasueshme, por për të thyer rekordin e tij personal. “Epoka Teli”, siç do ishte e udhës të etiketoheshin, ishin vitet ’60, ’70 dhe ’80 të peshëngritjes shqiptare, ku u kurorëzua dhe me një karrierë të suksesshme edhe si trajner. Teli në karrierën e tij si peshëngritës ka fituar 23 tituj kampion kombëtar dhe 13 Kupa Republike.

“Kam fituar 36 trofe zyrtarë në vend dhe thuajse çdo vit thyeja rekord. Luajtëm dhe jashtë vendit. Në Kinë, Rumani, Itali, etj. Në kampionatet europiane kam dalë i pesti dhe i katërti, ndërsa në Botëror kam arritur deri në vendin e tretë. Në një turne miqësor në Kinë dola i dyti dhe theva rekordin me 15 kilogramë, çka habiti dhe vetë kinezët të cilët më mbushën me krenari, pasi shikoja rivalët e mi që përuleshin përpara flamurit kuqezi. Ishte magjike”, rrëfen Teli. Karriera si trajner është një epokë e dytë, e cila duhet mbiquajtur “Epoka e Telit”.

“Gjatë viteve 1968-1975 kam shërbyer dhe si tranjer. Në vitin 1975 qeveria nxori urdhrin që lojtarët nuk mund të ishin dhe trajnerë e për këtë arsye zgjodha të vijoja betejën në pedanë për të vendosur rekorde të rinj. Gjatë kohës që isha trajner kam fituar tituj kampion nga viti 1968 deri në vitin 1974. Do kisha fituar ende, por më larguan si trajner për shkak të vendimit. Djemtë që stërvitja kishin respekt të veçantë për disiplinën që kërkoja. Kanë qenë kohë jo dhe aq të lehta dhe sporti i peshëngritjes kërkon shumë punë, por me pasion dhe vullnet ja dolëm”, rrëfen Teli.

Ai tregon dhe rikthimin në botën e trajningut në fund të karrierës në pedanë. “Vijova më pas si trajner në vitin 1986, ku sërish fitova kampionatin. Ministria e Mbrojtjes me emëroi dhe krye trajner te Partizani, ku krijova katër skuadra, nga të vegjlit, te të rinjtë, para të rinjtë dhe profesionistët”, bën të ditur Teli.

Ai tregon se ka drejtuar për 12 vite edhe kombëtaren shqiptare të peshëngritjes. Në kurrikulën e tij, njeriu me shtatin e vogël, por me fuqinë e një gjiganti ka dhe një sërë titujsh nderi të fituar në vite. Kështu,  Niko Teli ka fituar titullin “Mjeshtër i Merituar dhe Profesor i Sportit”. Po ashtu ai ka fituar titullin “Urdhrin Naim Frashëri” në vitin 1971, Urdhrin e Argjendtë “Naim Frashëri” në vitin 1989 dhe po ashtu Urdhrin e Artë në vitin 1996.  Ka fituar dhe Dekoratën e Meritës para pak javësh, akorduar nga Klubi Sportiv Partizani, ku dhe ka qenë trajner e lojtar përgjatë gjithë karrierës së tij. Niko Teli dashurinë për pedanën ja ka trashëguar dhe djalit të tij, Enri Tele, i cili është aktivizuar me ekipet e moshave tek Partizani për të dalë më pas kampion dhe tek të rriturit. Enri Teli ka marrë medalje të argjendtë ndërkombëtare në mitingun e zhvilluar në Selanik të Greqisë./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.