Ndryshimet statutore te PD, Basha mbledh Kuvendin Kombëtar më 28-29 Prill

TIRANË, 8 Mars/ATSH/ – Përgjatë dy ditëve, 28-29 prill, Partia Demokratike do të mbledhë Kuvendin Kombëtar për të shqyrtuar ndryshimet statutore. Vendimi është marrë në Kryesinë e selisë blu pas tre orë mbledhje.  Deri në fund të prillit, një grup pune i përbërë nga Edi Paloka, Edmond Spaho, Arben Ristani, Enno Bodzo dhe Fatbardh Kadilli do hartojë ndryshimet statutore. Pas mbledhjes së kryesisë, Lulzim Basha u shpreh se çdo demokrat ka në dorë mundësinë për të kontribuuar në këtë transformim të PD. Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në përfundim të mbledhjes së Kryesisë tha se diskutimet kanë qenë të frytshme. Ai gjithashtu doli garant që procesi i nisur në PD do të jetë i vërtetë. “Diskutimi ka qenë jashtëzakonisht i frytshëm. Pa dyshim që ka mendime kritike. Pa i rrahur mendimet nuk mund të shkohet në mendime që përfaqësojnë konsensusin e të gjithë anëtarëve të Kryesisë. Falënderoj gjithë kryesinë e PD-së që ka përmbyllur një proces analize, konsultimi dhe propozimesh. Shqiptarët e shohin këtë jo thjesht një proces brenda PD-së, por një rrugë e re për çdo shqiptar”, tha Basha. “Kryesia ka miratuar vendime që do t’i japin mundësinë çdo demokrati të kontribuojë në këtë proces dhe do të garantoj që të jetë një proces in-formal, por i vërtetë i gjithë bashkimit të kontributit dhe ideve për këtë transformim të PD që i paraprin transformimit që duan shqiptarët”, vijoi Basha.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.