Gjonaj në burgun e grave: Programe punësimi për t’u riintegruar në shoqëri

TIRANË, 8 Mars/ATSH/- Në kuadër të ditës ndërkombëtare të gruas në burgun “Ali Demi” në Tiranë po zhvillohen aktivitete në ndër të grave dhe vajzave që po vuajnë dënimet brenda dyerve të këtij institucioni.

Të pranishme në aktivitet janë edhe figura të njohura të jetës politike shqiptare, deputete të kuvendit të Shqipërisë, me qëllim inkurajimin e grave që vuajnë dënimin në këtë burg.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj gjatë fjalës së mbajtur vuri në dukje se qeveria shqiptare po punon për krijimin e mundësive dhe programeve të punësimit të këtyre grave, pas përfundimit të dënimit. Ajo sqaroi se shumë shpejt do të vijnë edhe incentivat e para lidhur me mbështetjen e mëtejshme të grave që vuajnë dënime në institucione të mbyllura si dhe integrimin e tyre në shoqëri.

“Shumë shpejt do të vijnë incentivat e para për ju, pas përfundimit të dënimit. Na takon ne të bëjmë më shumë përpjekje për të drejtat tuaj sidomos pasi të dilni nga këto dyer”, theksoi Gjonaj.

Sakaq, ajo theksoi se qëllimi i institucioneve të mbyllura qëndron në rehabilitimin e tyre duke siguruar edhe kushte sa më të përshtatshme për to.

“Ne po punojmë për t’ia krijuar mundësi që pasi të dilni nga këto dyer, përmes programeve të punësimit të keni mundësi të riintegroheni dhe të mbani familjet tuaja. Ne jemi duke punuar me anën ligjore lidhur me programet e punësimit”, tha ministrja.

Ndërsa premtoi se institucioni që ajo drejton do të punojë akoma më shumë për programet e punësimit, Gjonaj theksoi se po punohet fort për specializimin/edukimin e këtyre grave në profesione të caktuara brenda mureve të vuajtjes së dënimit si: punët artizanale, etj./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.