BRUKSEL – KE: Trump nuk mund të përjashtojë një shtet anëtar pa përjashtuar gjithë BE-në nga taksimi i metaleve

BRUKSEL, 8 mars /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump nuk mund të përjashtojë një shtet anëtar nga taksimi, që synon të vendosë ndaj çelikut dhe aluminit, pa nxitur automatikisht një përjashtim të të gjithë BE-së, u shpreh sot zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Jyrki Katainen.

”Nëse pala amerikane po përpiqet të bëjë një përjashtim për një nga shtetet anëtare, kjo nënkupton një përjashtim për të gjithë BE-në”, vuri theksin Katainen gjatë një konference shtypi në Bruksel që kishte në fokus një çështje tjetër.

”Sot u vura në dijeni se amerikanët po marrin në konsideratë përjashtime të mundshme për shtetet e ALENA-s (Marrëveshja e tregtisë së lirë e Amerikës Veriore midis SHBA-së, Meksikës dhe Kanadasë), por ata përmendën gjithashtu Britaninë e Madhe dhe ndoshta disa shtete të tjera”, theksoi ai.

Donald Trump njoftoi një javë më parë synim për një taksim prej 25% mbi importet e çelikut dhe 10% mbi ato të aluminit, duke ngjallur një luftë tregtare mes SHBA-së dhe numrit të aleatëve të saj, përfshirë BE-në.

”Ka përjashtime të mundshme për Meksikën, Kanadanë dhe disa shtete të tjera”, deklaroi të mërkurën Sarah Sanders, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, duke cituar një vlerësim ”shtet për shtet”./ /v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.