BRUKSEL – Catherine De Bolle e para grua në krye të Europolit

BRUKSEL, 8 mars /ATSH-AFP/ – Catherine De Bolle do të marrë më 1 maj postin e drejtueses së Europolit, agjencia europiane e specializuar në luftën kundër kriminalitetit, njoftoi sot Këshilli i Bashkimit Europian, i përfaqësuar nga 28 shtetet anëtare.

Kjo është hera e parë që një grua merr këtë funksion.

Bolle, në krye të Policisë Federale belge u emërua për një mandat katërvjeçar dhe do të pasojë drejtorin ekzekutiv aktual të Europolit, britanikun Rob Wainwright.

Kandidatura e komisares belge ra në sy në muajin dhjetor në mesin e një liste kandidatësh, që u miratua nga 28 shtetet e BE-së në nivel ambasadorësh.

Zyrtarizimi i këtij emërimi u bë publik sot në nivel ministror, me rastin e një takimi në Bruksel të ministrave të Brendshëm të unionit.

Pas përzgjedhjes së kandidaturës së saj, Bolle mori edhe opinionin pozitiv nga një komision i Parlamentit Europian.

Në një postim në Twitter, ministri i Brendshëm belg, Jan Jambon uroi Catherine De Bolle, gruan e parë në krye të Europolit.

Ai zbuloi rastësinë e një emërimi të finalizuar pikërisht më 8 mars, Ditën Botërore të të Drejtave të Grave./ /v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.