Rangers shqiptarë binjakëzohen me ata zviceranë për mbrojtjen e natyrës

TIRANË, 7 Mars / ATSH.N.Lena / – Në Zyrih, u realizua një takim midis federatës së Ranger të Zvicrës dhe asaj të Shqipërisë, në kuadër të binjakëzimit midis dy federatave. Megjithëse për palën tonë, kjo shoqatë është relativisht e re, krahasuar me vende të tjera të globit.

Që nga krijimi i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura në vitin 2015, Shqipëria ka një trupë prej 108 Ranger-sa, të cilët punojnë direkt në ruajtjen e vlerave natyrore të Zonave të Mbrojtura në vend.

Kjo trupë kompletohet nga një numër (rreth 50) specialistë monitorimi, të cilët punojnë në monitorimin dhe ruajtjen e specieve të egra dhe vlerave të biodiversitetit.

AKZM po punon fort në ngritjen e kapaciteteve dhe sigurimin e pajisjeve dhe infrastrukturës së nevojshme, në mënyrë që Rangers-at të plotësojnë detyrimet e tyre. Sigurimi i automjeteve, pajisjeve të terrenit, uniformat, etj, e kanë përmirësuar dukshëm punën e Rangers në natyrë.

Shoqata Kombëtare e Parqeve të Shqipërisë, është një shoqatë jofitimprurëse, e ngritur për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të mbështetur punën kritike të stafit të zonave të mbrojtura në ruajtjen e trashëgimisë sonë natyrore dhe kulturore.

Roli i AKZM-së është fuqizimi i stafit të zonave të mbrojtura, veçanërisht i Rangers-ave duke mbështetur përpjekjet e tyre dhe ofrimin e trajnimeve në ngritjen e kapaciteteve dhe programeve të shkëmbimit për anëtarët e saj në mënyrë që të sigurohet një roje parku i trajnuar mirë dhe i pajisur siç duhet për të menaxhuar natyrat e egra më të çmuara të vendit tonë.

I pyetur për ATSH, Drejtori i Parkut Kombëtar të Tomorrit Fatos Nako thotë se, “edhe ne si Administratë e këtij parku, morëm pjesë në takimin e Zyrihut me dy prej Rangers-ve tanë më të mirë.

Në këtë takim u arritën disa marrëveshje të përbashkëta si dhe u nënshkrua një akt binjakëzimi me pjesëmarrjen e zv/presidentit të Federatës Botërore dhe një deputeteje të parlamentit zviceran.

Gjithashtu u hodhën hapa për bashkëpunim midis dy shoqatave në disa pika të ndryshme, si ajo e ruajtjes së pyjeve nga dëmtuesit natyrorë dhe njerëzorë, ndihma ndaj komunitetit ku shtrihen zonat e mbrojtura etj”, thotë Nako.

Rangers-at tanë kanë dhënë shembuj pozitivë në këtë drejtim dhe i fundit ishte ai i Agur Vrenozit, i cili u përpoq të ndihmonte të tjerët, por mbeti i plagosur nga keqbërësit në grabitjen e Fierit, ku fatkeqësisht humbi jetën. /e.caushi/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.