Qeveria stimuj për përfituesit e ndihmës ekonomike që të orientohen drejt formimit profesional

301

TIRANË, 7 Mars/ATSH/ – Qeveria shqiptare do të ofrojë stimuj për përfituesit e ndihmës ekonomike që të orientohen drejt formimit profesional.

Kjo u bë e ditur gjatë një vizite që ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj zhvilloi në Shkodër me rastin e 7 Marsit, për të inauguruar shkollën e rikonstruktuar profesionale “Hamdi Bushati”, një investim i buxhetit të shtetit në vitin 2017, në vlerën 85 milionë lekë.

Falë këtij investimi mbi 500 nxënës të profileve hoteleri-turizëm, konfeksione dhe ekonomi-biznes, do të mësojnë e zhvillojnë praktikë në ambjentet moderne të klasave, laboratorëve dhe kabineteve të kuzhinës, rrobaqepsisë, qëndisjes etj.

“Në vitet e fundit arsimi profesional ka ndryshuar rrënjësisht, jo thjesht në numra, por dhe në cilësi. Numrat kanë ndryshuar nga 3 mijë në 19 mijë nxënës në shkollat profesionale, në të gjitha drejtimet, dhe sigurisht cilësia ka ndryshuar shumë në krahasim me shumë vite më parë”, u shpreh ministri në fjalën e tij.

Sot, tha ai, sistemi arsimor është më i fokusuar tek arsimi profesional.

“Këtu në Shkodër ka një gamë të gjerë shkollash profesionale të fokusuara dhe në teknologjinë e informacionit, që besoj se është e ardhmja, pra platforma dhe mbështetja për shumë industri”, bëri të ditur ministri.

“Kërkesa e tregut privat është gjithmonë në ndryshim, më dinamike, më e zgjuar dhe ne kemi nisur një proces shumë të rëndësishëm konsultimi me sipërmarrjen dhe me shkollat në të gjithë Shqipërinë, për të mësuar më shumë, para se të formatojmë përfundimisht kurrikulumet për vitin tjetër”, tha Ministri Ahmetaj.

Ministri i njohu të pranishmit me vendimin për stimulimin e familjeve në ndihmë ekonomike që të orientohen drejt formimit profesional me qëllim punësimin, duke iu mundësuar atyre një pagesë në masën e gjysmës së pagesës së papunësisë.

“Është një inisiativë e kryeministrit Rama, qeverisë shqiptare, që ka të bëjë me ndihmën që duhet t’i japim ne si sistem arsimor, familjeve që përfitojnë nga ndihma ekonomike. Ne sapo kemi kaluar një vendim, i cili do të bëjë të mundur dhënien e gjysmës së pagesës së papunësisë, pra 35 mijë lekë të vjetra, për çdo anëtar familje që përfiton ndihmë ekonomike dhe që do të trajnohet në kurset e formimit profesional”, informoi ministri.

Sipas këtij vendimi, çdo i papunë, familja e të cilit përfiton ndihmë ekonomike, do të duhet të trajnohet që të bëhet më i punësueshëm, të mësojë më shumë në një kurs profesional.

“Qeveria do ta paguajë këtë anëtar familjeje në nevojë, që ai ose ajo të mësojë dhe të bëhet më i punësueshëm”, tha Ahmetaj.

Pjesë e aktivitetit ishte dhe shpërndarja e certifikatave për mësuesit që kanë përfunduar me sukses programin e trajnimit për rritjen e cilësisë në mësimdhënie, projekt i GIZ. Janë 320 mësues e instruktorë të trajnuar deri më tani, ndërsa projekti parashikon mbi 600 të tillë në të gjithë vendin.
/a.gjonaj//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.