Universitetin Politeknik shpall kriteret për pranimin e studentëve

TIRANE, 6 Mars/ATSH/-Falë Ligjit të Ri të Arsimit të Lartë, universitetet kanë autonomi për të vendosur kriteret e pranimit të studentëve.

Autoritetet drejtuese të Universitetit Politeknik të Tiranës kanë vendosur pothuajse të njëjtat kritere si viti i kaluar, mbi bazën e të cilëve do të bëhet pranimi i studentëve të rinj për vitin akademik 2018- 2019.

Mesatarja e gjimnazit bashkë me ato të tri grup lëndëve formuese: Matematikë, Fizikë dhe Kimi do të jenë dy treguesit kryesorë, mbi bazën e të cilëve do të rekrutohen më të mirët te Politekniku. Ky universitet, bashkë me atë të Mjekësisë është ndër të paktët me një formulë të qëndrueshme në vitet e aplikimit, sipas ligjit të ri të arsimit të lartë, duke bërë më të lehtë orientimin e të rinjve drejt profileve që dëshirojnë.

Kriteret

Rëndësia e provimeve me zgjedhje për ata që do të garojnë te Politekniku është zero. Në formulën e përllogaritjes së pikëve ata që përgjatë gjithë viteve të maturës gëzojnë një mesatare të lartë, e veçanërisht në tri lëndë që kanë lidhje me profilet e universitetit, do të jenë favoritë për të fituar një nga degët Universitetit Politeknik.

Peshën më të madhe të pikëve e kanë tri vitet e gjimnazit, më konkretisht 70%. Ndërsa pjesa tjetër ndahet midis tri lëndëve: Matematikë, Fizikë e Kimi ku secila ka një rol të diferencuar, (sipas koeficienteve të përcaktuar në formulën përkatëse). Rezultati i vlerësimit nga formula e përshkruar më lart, do të ponderohet me koeficientin e shkollës së mesme, i cili është i ndryshëm për çdo program studimi.

Pra, 23 profilet e studimit në Universitetin Politeknik të Tiranës, në kriteret e pranimeve të reja iu japin përparësi nxënësve me mesatare të lartë në tri vitet e gjimnazit dhe në tri lëndët kryesore për formimin e një profesionisti./z.tosku//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.