“Unë nuk jam një armë lufte”, tmerret e luftës së Kosovës nga Parisi në Bruksel

413

TIRANË, 6 Mars/ATSH-Maela Marini/- Arti dëshmon edhe një herë fuqinë e tij të pakufishme në shpërndarjen e mesazheve universale.

Nga bulevardi “Bonne Nouvelle” në Paris, shfaqja teatrale “Unë nuk jam një armë lufte”, ku interpreton aktorja shqiptare Anila Dervishi, merr përsipër edhe njëherë misionin për të përcjellë dëshmitë e grave, viktima të luftës në Kosovë.

Përkujtimi i tmerrit të luftës, që në emër të spastrimit etnik, e vuajnë popujt e martirizuar, mbetet qëllimi kryesor i kësaj shfaqjeje.

Teksti është përshtatur nga Safet Kryemadhi, sipas librit “Ditari i një gruaje nga Kosova”, i Sevdije Ahmetit, autore dhe aktiviste shqiptare për të drejtat e njeriut.

Një skenë minimaliste ku e bardha zë gjithë hapësirën, është përzgjedhja e regjizorit dhe skenografit, Zenel Laçi, si për të kundërpeshuar zymtësinë e tregimeve dhe tmerrit të dhunës.

Densiteti i të gjithave është i tillë që spektatori ndjehet në mënyrë të pashmangshme i prekur.

E shoqëruar nga Afrim Jahja (kitarist i grupit rrok belg, The Witness), aktorja Anila Dervishi mban mbi supe peshën e tekstit tronditës.

Me një intensitet të lartë, Anila Dervishi krijon interpretimin e saj me tonalitetet e zërit, me vështrimin dhe flokët e “shpupurisura”, duke marrë përsipër të çliroj fjalën dhe dhimbjen e të gjitha grave.

Shfaqja është ftuar në Paris nga producenti belgo-francez me origjinë shqiptare, Haziz Vardar, i cili shprehet me optimizëm për paraqitjen e saj në festivalin e famshëm d’Avignon.

Stacioni i radhës do të jetë në qytetin Namur në Belgjikë, më datë 13 mars, për tu rikthyer sërish në Paris deri në muajin qershor, në të njëjtin teatër.

Shfaqja vjen aktuale edhe pse konflikti në Kosovë ka përfunduar një dekadë më parë. Në 2018, në Siri, në Jemen, në Birmani, në Etiopi civilët janë viktimat e para të konflikteve, dhe veçanërisht gratë.

Shfaqja ka gjetur jehonë në mediat franceze dhe belge./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.