SHBA – Trump përshëndet progresin e mundshëm në çështjen e Koresë së Veriut

UASHINGTON, 6 mars /ATSH-AFP/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump vlerësoi sot  progresin e mundshëm në çështjen koreano-veriore pas deklaratës së Phenianit, sipas Seulit, për një denuklearizim të mundshëm të vendit komunist, nëse garantohet siguria e regjimit.

”Progres i mundshëm në bisedimet me Korenë e Veriut”, u shpreh Trump pak pas njoftimit për një takim mes liderëve të dy Koreve në fund të prillit, i pari që prej vitit 2007.

”Për herë të parë prej vitesh po ndërmerret një përpjekje serioze nga të gjitha palët e përfshira. Gjithë bota ka kthyer sytë dhe po pret”, shtoi ai në një postim në Twitter me tone mjaft pozitive.

”Ndoshta janë shpresa të pavërteta, por SHBA-ja është e gatshme për t’u angazhuar plotësisht, cilido qoftë drejtimi i zgjedhur”, shtoi ai.

Pas përafrimit me rastin e Lojërave Olimpike Dimërore në Pyeongchang, Chung Eui-yong këshilltari për sigurinë i presidentit Moon Jae-in takoi të hënën liderin Kim Jong Un./
/v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.