GJERMANI – Cavusoglu në vizitën e tretë zyrtare brenda dy muajve

BERLIN, 6 mars /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu pritet të mbërrijë sot në Gjermani, në vizitën e tij të tretë zyrtare brenda dy muajve dhe e para që nga koha kur gazetari gjerman Deniz Yucel u lirua nga burgu në Turqi.

Diplomati turk pritet të takojë sot homologun e tij gjerman,  Sigmar Gabriel dhe të marrë pjesë nesër në një nga panairet më të mëdha të turizmit në botë” ITB në Berlin”, njoftoi Ministria e Jashtme turke.

Berlini dhe Ankaraja janë përpjekur të përmirësojnë marrëdhëniet e tyre të tensionuara pas lirimit të Yucel, një korrespondent i gazetës gjermane “Die Welt”.

Kjo vizitë zhvillohet një ditë pasi Turqia kërkoi që Gjermania të arrestonte dhe të ekstradonte Saleh Muslim, një lider politik siriano-kurd.

Turqia e ka akuzuar Muslim si një terrorist, pasi ai mori pjesë në një manifestim kundër ofensivës ushtarake të Ankarasë në Afrin, në fundjavë, në Berlin.//a.i/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.