Berat, restaurohet muri që kufizon rrugën drejt kalasë

TIRANE,6 Mars /ATSH/ – Ruajtja dhe mirëmbajtja e monumenteve të kulturës në çdo skaj të Shqipërisë, vazhdon të mbetet sfida kryesore e institucioneve përgjegjëse.

Specialistët e Drejtoria Rajonale Kombëtare e Kulturës Berat (DRKK), kanë kryer një inspektim në terren në ansamblin e Goricës ku u konstatua një pjesë muri e dëmtuar si pasojë e reshjeve të shiut të muajve të fundit.

Kjo bëri që DRKK Berat të merrte masa të menjëhershme për ringritjen e kësaj pjese muri të dëmtuar. Sakaq, punëtorët e mirëmbajtjes bënë pastrimin dhe lehtësimin nga dherat, sistemimin e gurëve të rënë dhe më pas restaurimin e murit të gurit.

Rrënimi i këtij muri bllokonte dhe vështirësonte kalimin e banorëve në atë pjesë të rrugicës së lagjes Goricë të qytetit të Beratit si dhe në krahun tjetër në të djathtë që është fillimi i shtegut që të çon në kalanë antike te kodra e Goricës.

Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum.

Ndodhet në pikën më të lartë të qendrës historike dhe është nga të paktat monumente të periudhës mesjetare në Shqipëri që vazhdon edhe sot të ketë një jetë intensive brenda mureve të saj rrethues. Deri në shekullin XIII qyteti mesjetar zhvillohej kryesisht brenda territorit të kalasë, ku, përveç shumë monumenteve me karakter religjioz, mbrojtës dhe inxhinerik, kishte edhe një numër të konsiderueshëm banesash.

Pamjen e sotme arkitektonike dhe urbanistike, ashtu si edhe dy lagjet e tjera, kalaja e mori gjatë shekujve XVIII-XIX.

Kalaja e Beratit është një nga atraksionet turistike më të vizituara ku çdo vit e më shumë tërheq vëmendjen e turistëve të huaj dhe shqiptar ,ku vetëm në periudhën kohore janar-dhjetor 2017, është vizituar nga 74019 turistë sipas të dhënave nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare e Beratit./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.