Ambasada Gjermane: përfundoi cikli i dytë i trajnimit për 30 të rinj, 80% e pjesëmarrësve janë punësuar

TIRANË, 6 Mars/ATSH-Arbi Fortuzi/ – 30-të rinj janë pajisur me certifikata të cilat do t’u çelin dyert e punësimit. Certifikatat u dhanë nga Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schuetz pas një trajnimi (Intershipi) 6-mujor mundësuar nga WUS (projekti Gjerman në vendin tone, i cili ndihmon praktikantët të gjejnë një vend për t’u praktikuar dhe mbështetet financiarisht nga Landi i Hesenit në Gjermani) në bashkëpunim të ngushtë mei DIHAn (Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri). Këto dy zyra bashkëpunojnë tashmë që prej 2 vitesh mes tyre.

Ambasadorja Gjermane në Tiranë, Susanne Schuetz gjatë fjalës së saj në ceremoninë e zhvilluar për dhënien e certifikatave u shpreh se janë rreth 100 të rinj, të cilët falë bashkëpunimit mes WUS dhe DIHA-s janë trajnuar dhe kanë kryer intershipe në kompani të ndryshme, duke i dhënë atyre eksperiencën e duhur për të konkuruar në tregun e punës. “Të rinjtë shqiptarë janë e ardhmja e vendit tuaj. Ne po investojmë përmes trajnimeve dhe intershipeve që të rinjtë shqiptarë ta gjejnë veten e tyre në Shqipëri. Janë rreth 100 të rinj të trajnuar falë këtij projekti”, tha Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schuetz.

Çelësi për suksesin ekonomik në Shqipëri qëndron në formimin e mirë dhe me baza praktike të të rinjve. Ju duhet ta frymëzoni të ardhmen e vendit tuaj. Ne kemi investuar dhe përmes shkollave profesionale, siç është ajo e Kamzës. Është e domosdoshme, të dihet se si mund të aplikohet për një praktikë, se si duhet punuar dhe kërkuar punësimi. Të rinjtë duhet të dinë se çfarë i pret nëse punësohen”, tha ajo.

Stephanie Sieg, Presidente e DIHAs, dhe Drejtuese Ekzekutive e Tirana Biznes Park, u shpreh se me WUS sapo është nënshkruar një marrëveshje e re bashkëpunimi. Ajo gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare u shpreh se DIHA përmes bashkëpunimit me WUS mbështet të rinjtë shqiptarë për t’u punësuar. “Eksperienca jonë ishte shumë pozitive. Kemi rinovuar kontratën, pasi duam të mbështesim të rinjtë shqiptarë për t’u punësuar dhe për t’u praktikuar për të qenë gati për punësim. Sugjeroj që Qeveria, arsimi, por dhe sipërmarrësit të kryejnë sa më shumë trajnime dhe intershipe, pasi kështu do të kishte më shumë profesionistë në tregun e punës”, tha Sieg për ATSH-në. “Programi i WUS është shumë pozitiv për t’i drejtuar të rinjtë në tregun e punës, duke u nisur dhe nga kërkesat e tregut”, vijoi ajo.

Dr. Kambiz Ghawami, Kreu i WUS gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, tha se ideja për të nisur këtë projekt ishte fakti që disa kompani gjermane kishin vështirësi të gjenin punonjës të kualifikuar për punën që kërkonin. Mendojmë se zhvillimi ekonomik në Shqipëri dhe zhvillimi për Qeverinë Shqiptare duhet të bazohet tek të rinjtë shqiptarë dhe prandaj ne jemi foksuar në këtë drejtim. Nëse Shqipëria do të jetë pjesë e BE-së, duhet të ketë në fokus të rinjtë që të jenë gati për t’u përballur me konkurencën në BE dhe për këtë nevojiten trajnime dhe intershipe të kësaj natyre”, tha Ghawami. “Deri më tani kemi përfunduar dy grupe trajnimi. 80% e studentëve që kanë kryer intershipe në kompani të ndryshme janë bërë dhe punonjës të këtyre kompanive. Dhe pjesa tjetër prej 20%, për momentin duan të vazhdojnë masterin apo doktoraturën. Ky program do të vijojë të paktën deri në vitin 2030”, vijoi në intervistën e tij për ATSH-në, Kreu i WUS Dr Kambiz Ghawami.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.