TURQI – Arrestohen 4 irakianë pas sinjalizimit për sulm kundër ambasadës amerikane

229

ANKARA, 5 mars /ATSH-AFP/ – Katër irakianë, të cilët planifikonin të sulmonin ambasadën amerikane në Ankara, u arrestuan sot nga forcat turke të sigurisë, raportuan mediat vendase.

Katër burrat u arrestuan në qytetin Samsun në Detin e Zi, në veri të Turqisë, gjatë një kontrolli të kryer, pas një alarmi sigurie të lëshuar një ditë më parë nga ambasada amerikane, e cila sot qëndroi e mbyllur.

Sipas mediave, katër të dyshuarit kanë lidhje me grupin xhihadist të Shtetit Islamik (ISIS). Dokumenta dixhitalë që u gjetën gjatë kontrollit u konfiskuan.

Ambasada amerikane në Turqi, e shënjestruar nga një sulm kamikaz në 2013, njoftoi të dielën se do të qëndrojë e mbyllur të hënën për publikun për ”arsye sigurie”.

Pas këtij alarmi, autoritetet turke forcuan masat e sigurisë në Ankara, pasuar me kontrolle të hollësishme ndaj militantëve të dyshuar të ISIS-it./
/v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.