MAQEDONI – Kotzias sërish në Shkup për çështjen e emrit

SHKUP, 5 mars /ATSH-MIA/ – Në gjysmën e dytë të marsit, shefi i diplomacisë greke Nikos Kotzias duhet të mbërrijë për vizitë në Shkup në takim me ministrin e Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov, ndërsa raund i ri për procesin e negociatave nën drejtimin e ndërmjetësit të OKB, Mathew Nimetz pritet të caktohet në fund të marsit ose fillim të prillit, deklaroi kryeministri maqedonas, Zoran Zaev.

“Kotzias do të mbërrijë në javën e tretë ose të katërt të marsit dhe me ardhjen e tij në aeroportin e Shkupit do të mund të bëhen përpjekje për afrimin e qëndrimeve, ndërsa procesi i negociatave do të vazhdojë nën drejtimin e Nimetz”, tha Zaev, pas takimit të mbrëmshëm me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Kryeministri Zaev pret që Kotzias në Shkup të prezantojë projektversionin grek për zgjidhjen e çështjes së emrit.

“Ata qëndrojnë në qëndrimet e tyre të njohura. Ne gjithashtu jemi në qëndrimet tona të njohura. Mbetemi optimistë se mund të gjendet zgjidhje për këtë problem të madh, që ekziston më shumë se 25 vite, por gjithsesi kjo mund të jetë ruajtje e dinjitetit, identitetit të së dyja palëve në bisedimet për emrin. Gjithsesi vazhdojmë edhe më tej të informohemi mes njëri-tjetrit. Shpresoj se për këtë çështje do të mund të ndërtojmë konsensus kombëtar”, tha kryeministri Zoran Zaev./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.