Manastirliu: Masa të forta për çdokënd që abuzon me detyrën

TIRANË, 28 Shkurt/ATSH/.- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” shkarkimin e menjëhershëm nga detyra për punonjësit e QSUT, që janë filmuar nga një emision investigativ, duke kryer akte mitmarrjeje, në kundërshtim me ligjin, në këmbim të shërbimit shëndetësor, që qytetarët marrin falas në spitalet publike.

Në një deklaratë për shtyp, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dënon me forcë çdo akt korruptiv, si dhe fton të gjithë qytetarët që të denoncojnë rastet në të cilët u vonohet apo u mohohet shërbimi shëndetësor dhe u kërkohet rryshfet.

“Në të njëjtën kohë, sigurojmë qytetarët se do të marrim të gjitha masat e nevojshme për këdo që abuzon me detyrën, duke u mohuar qytetarëve marrjen e shërbimit që meritojnë”, thuhet në deklaratën për shtyp.

Në kuadër të reformës për përmirësimin e shërbimeve publike përmes lehtësimit të procedurave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po vijon punën për shtrirjen e shëndetësisë elektronike, me synim eleminimin e praktikave korruptike, rritjen e transparencës dhe aksesit në shërbimet shëndetësore.

Ministria e Shëndetësisë duke falënderuar median për evidentimin e rasteve të tilla, ftojmë edhe një herë qytetarët, të mos ngurojnë të denoncojnë çdo rast kur u kërkohet rryshfet për marrjen e shërbimit shëndetësor.

“MShMS është e vendosur ta luftojë këtë fenomen në bashkëpunim me organet e drejtësisë, në mënyrë që çdo punonjës që kryen akte korruptive, të ketë ndëshkimin e merituar”, përfundon deklarata./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.