Kosovë-Kuvendi seancë të jashtëzakonshme për demarkacionin, pas tre shtyrjeve

138

PRISHTINË, 28 Shkurt /ATSH/.- Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi është pika e vetme e axhendës së seancës së sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, e nisur me më shumë se një orë vonesë, pas tre shtyrjeve gjatë këtij muaji shkurt.

Fillimisht me 62 vota pro u miratua propozimi i hedhur në votim nga kryeparlamentari Kadri Veseli për shmangie nga rregullorja – për procedurë të përshepejtuar të shqyrtimit të projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Galuk Konjufca, ka kërkuar që të shmanget nga rendi i ditës raporti për shqyrtimin e projektligjit për demarkacion.

Ai në seancën e sotme për demarkacionin theksoi se janë kundër kësaj marrëveshje, pasi para vetes kanë një marrëveshje për demarkacion për të cilin Komisioni Shtetëror i emëruar nga kryeministri ka ardhur deri te gjetjet shumë problematike sa i përket shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi.

Projektligji për seancën e sotme ka një ndryshim – shtesën “si orientim” me dakordimin në 25 Shkurt 2018 së bashku të tre liderëve të partive të koalicionit qeverisës, PDK, AAK e AKR, e që është mirëpritur nga partia opozitare LDK si “gatishmëri për të pranuar propozimin” e saj.

Tashmë, pas këtij konsensusi, për Projektligjin janë të sigurta edhe 27 votat e grupit parlamentar të LDK dhe bashkë me 23 të PDK, 10 të AAK, 6 të Nisma-s e 2 të deputetëve të AKR që janë pa grup parlamentar bëjnë gjithsej 68 vota pro.

Kur këtyre u shtohen edhe 6 votat e grupit Gjashtë Plus të komuniteteve pakicë joserbe dhe 4 të deputetëve tjerë pa grup parlamentar, mes të cilëve një serb që është deklaruar për ratifikimin e marrëveshjes që është edhe një kusht për liberalizim vizash, numri total i votave pro arrin në 78, ndërsa për kalimin e Projektligjit duhen së paku edhe 2 vota për të arritur 80-shin – dy të tretat e nevojshme të Kuvendit të Kosovës 120 anëtarësh.

Mbetet të shihet a do të sigurohen të paktën edhe 2 votat e nevojshme pro nga dy partitë që janë deklaruar kundër – Lëvizja Vetëvendosje opozitare me 32 deputetë dhe Lista Serbe, pjesë e koalicionit qeverisës, me 10 deputetë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, bëri të ditur në mbrëmjen e 24 shkurtit se “me marrëveshjen e re konsensuale, ndryshimi që ka pësuar Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror është shtesa ‘si orientim’, me kërkesë të LDK-së”, ndërsa shtoi se “kjo fjalë ishte ajo që pengonte ratifikimin e marrëveshjes”.

Të premtën e javes së kaluar në seancën e Kuvendit, që u shty për herë të tretë, pas të enjtes e më herët në mbrëmjen e 28 shkurtit, kryeministi Haradinaj tha se ka dy vjet e gjysmë që skena politike kosovare është ndarë për një temë që ka të bëjë me territorin vendit, me kufirin me Malin e Zi, ndërsa duke iu drejtuar LDK-së tha se “asnjë germë nuk i hiqet” asaj që ka proceduar qeveria për Projektligjin.

“Projektligji për demarkacionin ratifikon marrëveshjen e 26 gushtit 2015. Marrëveshja për Kufirin Shtetëror mes Kosovës e Malit të Zi është nënshkruar në 26 gusht 2015 në Vjenë. Për palën kosovare e ka nënshkruar atëherë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i atëherëshëm i Brendshëm, Skender Hyseni, ndërsa për palën malazeze, zëvedëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Igor Llukshiç dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviç.

Dëshmitarë të nënshkrimit ishin atëherë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, si dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz./b.j/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.