Kosovë- Komuna e Rahovecit vazhdon pastrimin e rrugëve nga dëbora

PRISHTINË, 28 Shkurt/ATSH/.- Reshjet e dëborës që kanë rënë gjatë kësaj jave në komunën e Rahovecit, Kosovë, kanë sjellë probleme të theksuara në lëvizjen e banorëve të fshatrave në zonat e thella malore.

Sipas njoftimit për shtyp të komunës së Rahovecit, operatori i kontraktuar nga komuna ka bërë dhe po bënë përpjekje për të larguar borën nga rrugët.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Përparim Krasniqi, i cili po ndjek nga afër situatën në terren, bën të ditur se “rrugët në qytetin e Rahovecit, rruga Drenoc-Sarosh, rruga në fshatin Mrasor, rruga për Opterushë, Reti, Reti e Ulët, dhe Hoqë e Madhe janë të kalueshme”.

Ndërsa momentalisht ai shprehet se është duke punuar në pastrimin e borës në rrugën e fshatit Zatriq, rrugën Drenoc-Bërtatin dhe rrugën e fshatit Kaznik.

Krasniqi tha se do të punohet në vazhdimësi, në vendet ku kërkohet që të ndërhyhet për largimin e borës nga rrugët, me qëllim që t’u lehtësojmë lëvizjen të gjithë banorëve të komunës së Rahovecit./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.