”Bëjmë detyrat e shtëpisë”, nxënësit flasin për projektin

TIRANE, 28 Shkurt/ATSH-Z.Tosku/-Për herë të parë në katër shkollat e kryeqytetit po vihet në zbatim projekti “Bëjmë detyrat e shtëpisë” ku nxënësve nga mosha 6-15 vjeç po u ofrohet ushqim dhe kujdes për nxënësit deri në orën 17.00 pasdite.

Agjencia Telegrafike Shqiptare ka ndjekur nga afër projektin e zbatuar në një nga shkollat ku po zbatohet projekti pilot në Tiranë, në Shkollën e Kuqe(9-vjeçare) ku po aplikohet modeli i ngjashëm me atë të vendeve më të zhvilluara të Europës.

Në një pronconim për ATSH-në, nxënësit e klasave të ndryshme janë shprehur entuziastë për nismën, pasi sipas tyre kanë mundësi jo vetëm të kuptojnë mësimin më mirë por edhe të njohin më shumë njëri-tjetrin. Po kështu, ata janë shprehur se falë këtij projekti, nxënësit me vështirësi në nxënie mësimore kanë mundësi të ndihmohen nga mësuesi përkatës dhe shokët/shoqet e tyre me rezultate të arrira.

Një tjetër lehtësi sipas nxënësve, ka të të bëjë me kohën e lirë që fëmijët kalojnë pas përfundimit të detyrave në shkollë. Nxënësit e kësaj shkolle, përfitojnë shërbim dhe kujdes për nxënësit pas përfundimit të procesit mësimor, deri në orën 17.00, nga e hëna në të premte, sipas strukturës së vitit shkollor të sistemit parauniversitar të miratuar nga MAS dhe kalendarit të festave zyrtare.

Fëmijët pas procesit mësimor konsumojnë ushqimin, më pas zhvillojnë aktivitete argëtuese dhe më pas rikthehen në klasë për të bërë detyrat e shtëpisë. Aktivitetet pas shkolle janë hartuar nga ekspertë të kurrikulës në bazë të moshës së fëmijës, pra çdo fashë moshe kanë aktivitetet e dedikuara për të. Për të gjithë nxënësit që vijnë nga familje të cilat përfitojnë ndihmë ekonomike në të 4 shkollat pjesë të projektit, ushqimi  financohet 100% nga Bashkia Tiranë. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.