ITALI – Bashkia e Romës ndalon përdorimin e makinave me naftë

ROMË, 27 shkurt /ATSH-DPA/ – Makinat me motor me naftë nuk do të lejohen më në qendër të Romës duke filluar nga viti 2024, njoftoi sot kryebashkiakja e kryeqytetit italian, Virginia Raggi.

“Ne duhet të veprojmë sa më shpejt kundër ndryshimit të klimës”, tha Raggi përmes një mesazhi në Facebook, duke iu referuar  fjalimit të saj,  disa ditë më parë, gjatë një konference për shtyp, në Meksiko Siti.

“Unë njoftoj se duke filluar nga viti 2024, përdorimi i automjeteve me naftë do të ndalohet në qendër të qytetit të Romës. Nëse duam të veprojmë seriozisht, duhet të kemi kurajën për të marrë masa të forta”, shtoi ajo.

Raggi është duke ndjekur hapat e kryebashkiakes socialiste të Parisit, Anne Hidalgo, e cila vitin e kaluar caktoi  2024,  si vitin për të shmangur qarkullimin e makinave me naftë.

Grupi për mbrojtjen e e mjedisit ”Greenpeace” ka lobuar për marrjen e masave të tilla duke pretenduar se emetimet e dyoksidit të azotit nga makinat me naftë ishin përgjegjëse për vdekjen e parakohshme të më shumë se 17 000 personave vetëm në Itali.//a.i/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.